Për ato që kanë planifikuar pushimet në fundjavë, moti nuk do të jetë i favorshëm. Reshjet e shiut rikthehen sërish. Bashkë me to edhe ulja e temperaturave.
Shiu do të jetë edhe në formën e rrebesheve, ku më të fokusuara do të jenë në zonat qendrore dhe malore, por nuk përjashtohen edhe në bregdet.
Sipas meteorologut, Hakil Osmani temperaturat do të shkojnë 32 deri në 33 gradë Celsius.
"Dita do të jetë me kthjellime. Do të na shoqërojnë deri pasdite. Më pas në zonat malore do të kemi prezencë të vranësirave. Nesër paraditja do të jetë e kthjellët, ndërsa pasditja do të sjellë vranësira dhe prezencë të reshjeve. Do jenë të fokusuara në zonën juglindore dhe lindore. Deri ditën e premte kryesisht pjesa më e madhe e vendit do të jetë me mot të kthjellët. Do ketë edhe prezencë të vranësirave dhe pak reshje. Për sa i përket fundjavës vlen të theksohet se vranësirat dhe reshjet e shiut do të përfshijnë pjesën më të madhe të vendit. Reshjet do të jenë edhe në formën e rrebesheve. Do të jenë në zonat malore dhe veriore. Më të dukshme do të jenë gjatë ditës së shtunë. Të dielën do të jenë të fokusuara në zonat qendrore dhe ato veriore. Kryesisht gjatë mesditës. Zonat bregdetare do të jenë me mot më të qëndrueshëm. Por nuk përjashtohen edhe rrebeshet e shiut. Për sa i përket vlerave termike do kemi rënie gjatë fundjavës. Do të shkojnë në 32-33 gradë celsius. Do kemi dhe parametër ere prezentë. 45 km në orë. Pjesa tjetër e muajit korrik do të sjellin sërish rritje të vlerave termike. Do të shkojnë 39 deri në 40 gradë. Do të kemi dhe prezencë të pakët vranësirash. Muaji gusht do të jetë i nxehtë, por më i freskët se muaji korrik", u shpreh meteorologu Osmani.