Nisi sot Forumi i Nismës Adriatiko-Joniane (NAJ)/ Strategjia e Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), i cili do të zgjasë deri më 18 maj 2022.
Pjesë e këtij forumi do të jenë mbi 500 përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe 10 vende të rajonit. Mbajtja e këtij forumi në Tiranë shënon ngjarjen kulmore të Presidencës shqiptare, 1 qershori 2021-31 maj 2022.
Në Forum morën pjesë delegacionet nga 10 vendet anëtare të NAJ/EUSAIR, si dhe përfaqësues nga Komisioni Evropian, Sekretariati i NAJ, Universitetet, Dhomat e Tregtisë, shoqëria civile, organizata rinore, etj.
Në Fjalën e hapjes Zv/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Megi Fino, në emër të Presidencës shqiptare theksoi se ky aktivitet konfirmon edhe një herë rolin dhe kontributin në rritje të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë.
Gjithashtu, Presidenca shqiptare përshëndeti zyrtarizimin e anëtarësimit të San Marinos në EUSAIR.
Rezultatet konkrete gjatë Presidencës shqiptare u arritën nëpërmjet organizimit të aktiviteteve të përcaktuara në kalendarin e Presidencës, të cilat përfshijnë organizimin e konferencave, panaireve, tryezave të rrumbullakëta, si dhe takimeve në kuadër të sektorëve të mbështetur nga Strategjia EUSAIR, aktivitete të cilat përfshinë Parlamentet e rajonit, rininë, universitetet, dhomat e tregtisë, shoqëria civile, etj.
Presidenca e ardhshme e NAJ/EUSAIR i kalon Bosnjës dhe Hercegovinës.