Rreth 20 mijë studentë janë ulur sot për herë të parë në auditoret e universiteteve publike të vendit. Nga Shkodra, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro theksoi se regjistrimet vijojnë ende dhe pritet që numri i studentëve të rritet.
Ndër prioritetet kryesore mbeten rritja e fondeve për kërkimin shkencor dhe mbështetja e inovacionit në arsimin e lartë.
SHKODËR
Rektori i Universitetit të Shkodrës, prof. Tonin Gjuraj, bëri të ditur se 871 studentë janë regjistruar deri më tani në vitin e parë.
DURRËS
1900 studentë të rinj kanë nisur sot vitin e parë akademik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Asnjë program studimi nuk do të mbyllet por dege si marrëdhëniet ndërkombëtare dhe histori-filozofi do të ri-organizohen për t’iu përshtatur tregut te punes.
“Një tjetër arritje për këtë vit është diplomimi i tre studentëve të parë në Universitetin “La Sapienza” të Romës, falë programit të përbashkët me Universitetin “Aleksandër Moisiu”, tha Profesor Dr. Shkëlqim Fortuzi.
ELABASAN
Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, rreth 1000 studentë janë regjistruar në vit të parë. Shifra është e ngjashme me një vit më parë, ndërsa më të kërkuarat mbeten Shkencat Mjekësore Teknike, Financa dhe Teknologjitë e Informacionit.
“Rritje është shënuar edhe në programin Matematikë–Fizikë, ndërsa prirjet pozitive vijojnë në Edukimin Fizik, Biznes, Drejtësi dhe Arsimin Parashkollor”, tha rektorja Elvira Fetahu.
KORÇË
Në Universitetin “Fan Noli” të Korçës, janë regjistruar deri tani 482 studentë të rinj. Trendi është pozitiv dhe universiteti po ruan kuotat e mëparshme, me interes në rritje në Bujqësi dhe Turizëm.
“Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane kryeson me 190 studentë të regjistruar, ndjekur nga Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti i Bujqësisë”, tha rektori Lorenc Ekonomi.
Megjithatë, disa programe studimi, si Gjuha Frënge, Gjuha-Letërsi Shqipe dhe Gjuhët e Pakicave, këtë vit nuk kanë pasur regjistrime dhe rrezikojnë mbylljen.
GJIROKASTËR
Në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, 400 studentë janë ulur sot për herë të parë në auditore. Shifrat janë ne rritje ndersa asnjë program nuk rrezikon mbylljen.
Komente

Hajdute
Përgjigju