Sociale

Nisi vit i ri shkollor/ Në Korçë, 784 nxënës më pak ulen në bankat e shkollës

8 Shtator, 11:38| Përditesimi: 8 Shtator, 16:35

  • Share

Në qarkun e Korçës, këtë të hënë kanë nisur mësimin 19,340 nxënës të arsimit fillor dhe te mesem.. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Arsimit, numri i nxënësve është 784 më pak se një vit më parë, rënie që lidhet kryesisht me lëvizjet demografike dhe uljen e lindshmërisë. Në klasën e parë këtë vit janë regjistruar 1450 nxënës, ndërsa në klasën e dhjetë 1540 nxënës kanë nisur gjimnazin.

Megjithatë, shifra e raportuar nga DRAP bie ndesh me atë të Sindikatës së Mësuesve në Korçë, e cila pak ditë më parë deklaroi se në nivel qarku ka mbi 3 mijë nxënës më pak. Zyrtarisht, drejtoria mohon mbylljen e shkollave, por burime të tjera bëjnë me dije se rreth gjashtë shkolla janë mbyllur në gjithë qarkun.

Vështirësitë janë të dukshme jo vetëm në shkollat e fshatrave, por edhe në qytetin e Korçës, ku shkollat “Naim Frashëri”, “Ismail Qemali” dhe “Asdreni” kanë rënë ndjeshëm në numër dhe pritet të shndërrohen në shkolla vartëse.

Përballë mbylljeve dhe tkurrjes së numrave, sot u inaugurua shkolla 9-vjeçare në fshatin Gështenjas të Bashkisë së Pogradecit, e cila u hap me ambiente të reja për nxënësit e zonës.

Ndërkohë, disa shkolla në qark po zhvillojnë mësimin me turne, pasi shkolla “Kajo Karafili” dhe ajo e Qatromit ndodhen në proces rikonstruksioni.


Lajmi kryesor:

Vëzhgim/ Shpopullimi ‘zbras’ shkollat e fshatrave! Bie numri edhe në qytete, më pak fëmijë në klasë të parë


K.M/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Viti i ri shkollor, sa i sigurt iu duket ambienti për fëmijën tuaj?