Vëzhgimi i Report Tv/ Infermieria dega e preferuar e të rinjve! U shpall prioritet qeveritar, mësuesia rrezikon të mbyllet në 6 universitete

2 Tetor 2023, 11:12| Përditesimi: 2 Tetor 2023, 16:34

  • Share

Në Universitetin e Shkodrës nisën vitin e parë 895 studentë.  Degët më të kërkuara janë Infermieri, Mami, Fizioterapi dhe Edukim Fizik, ku janë plotësuar të gjitha kuotat. Ndërsa 13 degë janë drejt mbylljes, siç është frengjishtja që nuk ka asnjë të regjsitruar dhe historia me vetëm një student. Ajo ç’ka vihet re është rënia e studentëve edhe në fakultetin Juridik.  Nga 300 kuota në dispozicion janë regjistruar vetëm 43 studentë.

Katër programe studimi; Kimi, Matematike, Fizike dhe Gjuhe Italiane nuk do të hapen këtë vit në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”. Edhe pse Qeveria akordoi bursa 40 mijë lek në muaj sërish studentet nuk u regjistruan në degët e mësuesisë. Ashtu si në Shkodër, edhe në Vlorë të rinjtë zgjodhën të studiojnë për Infermieri.

Infermieria është e vetmja degë me auditoret e mbushura në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”.  Një 18 vjeçare që ka zgjedhur “Teknike laboratori” thotë se dëshiron të punojë jashtë vendit pas studimeve.  Përpos të rinjve, në auditore janë ulur dhe gra e burra mbi 30 vjec që studiojnë për Infermieri.

Ndërsa në 14 degë të mësuesisë nuk ka asnjë të regjsitruar. Zëvendësrektori, Peçi Naqellari  se nuk do të mbyllen por do të pezullohen, sepse ka ende studente në vitet e dyta e të treta. Programet e studimit quhen të mbyllura kur nuk frekuntohen për 3 vite radhazi”.

Po kështu është tkurrur numri në fakultetin Ekonomik, që dikur ishte dega më e preferuar në Elbasan.

Në Korçë nisën vitin e parë 540 studentë, ose 60 më pak se vjet. Do të pezullohen për këtë vit degë si Filozofi-Sociologji, Ekonomik dhe Matematike Fizike.

Ndërkaq në Universitetin “Eqerem Çabej” rrezikojnë degë si “Gjuha Italiane” dhe Matematike-Informatike. Me shpresën për ti mbajtur hapur, Universiteti ka çelur fazën e trete të regjistrimeve. Si dhe në universitet e tjera, edhe në Gjirokastër trend është Infermeiria, me 370 studente në vitin e parë.

Në Durrës, viti i ri akademik nisi me 200 studentë më pak se vitin e kaluar. Infermieria dhe Financa mbajnë numrin më të lartë, ndersa s’ka interes per Filozofi-Sociologji, Histori dhe Guide Turistike.

“Priten dhe regjistrime të tjera në fazat në vijim për të arritur të flitet për një rezultat përfundimtar se sa degë rrezikojnë mbylljen”, tha rektorja  e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Kseanela Sotirofski.

Faza e tretë e regjistrimeve për universitetet në mbarë vendin përfundon me datë 18 tetor!

Vëzhgimi për Report Tv dhe Shqiptarja.com nga gazetarët: Ergys Kavaja, Armand Xhelili, Ronaldo Gjoshi, Armand Braho, Piro Nase dhe Aldo Mustafa.

Ora 12:02
Viti i ri akademik në Elbasan, plotësohen vetëm 50% e kuotave

 

Viti i ri akademik ka nisur edhe në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan. Përkundër 2114 kuotave të përcaktuara nga institucioni arsimor në përfundim të dy raundeve të para janë regjistruar 1097 studentë, ose 50 % e kuotave të plotësuara. Sakaq fakulteti i cili kryeson edhe këtë vit është ai i Shkencave Mjekësore Teknike ku janë ezauruar 65% e kuotave, ndërsa programi më i lakmuar është Infermieria e cila nuk ka asnjë vend të lirë, teksa  janë regjistruar 250 studentë.

Vetë të rinjtë flasin për nisjen e sezonit të ri akademik dhe pritshmëritë që ata kanë. Mes tyre ka nga ata që fill pas studimeve  e shohin veten jashtë vendit, pavarësisht masave të marra nga qeveria për ti mbajtur të paktën 5 vite në Shqipëri.

Tkurrje të numrit të studentëve në Universitetin e Elbasanit shënon edhe Fakulteti i Ekonomikut, i cili dikur renditej mes më të preferuarve, sidomos për studentët rezident në Elbasan. Në total në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” këtë vit akademik janë ulur në auditore në të gjitha programet e studimit mbi 6 mijë student .

Ora 11:53
Ashtu si në Shkodër, edhe në universitetin e Gjirokastrës studentët zgjedhin Infermierinë

 

Universiteti 'Eqrem Çabej' nè Gjirokastër ka nisur sot vitin e ri akademik me rrezikimin e mbylljes se dy degëve siç është Gjuha Italiane dhe Matematikë-Informatike.

Në këto dy degë është regjistruar dhe numri më i ulet i të regjistruarve ku deri me tani nuk plotëson kuotën por që shpresohet me raundin e katërt të pranimeve, ky numër te rritet dhe kësisoj të funksionojnë si degë.

Ndërkohë që interes të lartë studentët e rinj kanë shfaqur në Infermieri. Sivjet janë regjistruar gjithsej 370 studente gati 10 më shumë se një vit me parë.

Ora 11:43
Viti i ri akademik, në Korçë rreth 60 studentë më pak se vitin e kaluar

 

Mbi 3000 studente kanë nisur vitin e ri Akademik në Universitetin ‘Fan S Noli’ të Korçës, në rreth 60 programe. 540 prej tyre janë ulur për herë të parë në bankat e universitetit, ose rreth 60 student më pak se vitin e shkuar.

3 dege studimi mbeten të rrezikuara për tu pezulluar në këtë universitet, për shkak të numrit te ulët te regjistrimeve, ku përfshihen dega e Filozofi-Sociologjo, Ekonomiks dhe Matematike Fizike.

‘Regjistrimet e arritura janë në mjaft programe qe vitin që shkoi ishin të rrezikuara.  2 programet me të rrezikuara janë filozofi sociologji dhe ekonomiksi. Ndërsa te fakulteti i shkencave programet e matematike fizikës janë me shifra të ulëta por mund të funksionojnë si program pasi kanë lëndë të përbashkëta me drejtime të tjera.’- tha rektori Dhimitri Bello.

Ora 11:40
Në Vlorë, nuk regjistrohet asnjë student për degët Kimi, Matematikë, Fizikë e Gjuhë italianë

Katër programe studimi nuk do të hapen këtë vit në universitetin ‘Ismail Qemali’ të Vlorës.

Pas përfundimit të raundit të dytë të regjistrimeve, programet e studimit në degët Kimi, Matematikë, Fizikë dhe Gjuhë Italiane, nuk kanë asnjë student të regjistruar në vitin e parë.

Në kuotat të ulëta edhe Fakulteti Ekonomik, ku nga 300 kuota ka vetëm 120 studentë të regjistruar.

Kuotat maksimale janë shënuar vetëm në Fakultetin e Shëndetit Publik ku 240 kuota janë plotësuar të gjitha.

Ndërkohë nga datat 4 deri në 18 tetor do të vijojnë një raund tjetër regjistrimesh për të gjithë ata të cilët nuk kanë arritur të regjistrohen apo që nuk kanë fituar një degë.

Në këtë fazë do të ketë mundësi regjistrimi edhe për ata studentë që dëshirojnë të ndryshojnë degën e studimit.

Ora 11:30
Durrës, viti i ri akademik nis me rënie të numrit të studentëve

1696239242_1696238536durres.jpg

Nisja e vitit të ri akademik sjell 1515 regjistrime te reja në universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, vetëm në dy fazat e para, shifër kjo e cila ka një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë e cila ishte 1700 regjistrime për dy fazat e para.

Rektorja Kseanela Sotirofski ka treguar për Report Tv se priten dhe regjistrime të tjera në fazat në vijim për të arritur të flitet për një rezultat përfundimtar sesa degë rrezikojnë mbylljen.

Deri në tani degët më pak të zgjedhura janë ato të Guidës Turistike, Filozofi-Sociologji dhe dega e Historisë, ndërsa degët më të preferuara për studentët kanë qenë degët e Financës, Infermierisë, dhe disa programe studimesh profesionale.

Sakaq faza e tretë e regjistrimeve përfundon me datë 18 tetor, nga ku do të mësohet dhe fati për degët e rrezikuara dhe për numrin total të regjistrimeve në UAMD, ndërkohë që deri më tani janë plotësuar 75% e kuotave.

Ora 11:27
Nisi viti i ri akademik në Shkodër, studentët interes për Infermierinë, vetëm 1 student regjistrohet për Histori

 

Në universitetin ‘Luigj Gurakuqi’ të Shkodrës, deri tani janë regjistruar 850 studentë në vitin e parë në 32 programe studimi në 6 fakultete të këtij universiteti.

Në total kuotat e kërkuara nga universiteti ‘Luigj Gurakuqi’ për degët e universitetit janë aprovuar 1776 kuota, ndërsa në këtë vit në nisje të vitit të ri akademik janë ende edhe 926 kuota të lira.

Degët që i kanë plotësuar 100% kuotat janë infermieri i Përgjithshëm, Mami, Fizioterapi dhe Edukimi Fizik në fakultetin e Shkencave të Edukimit.

Ndërsa dega e historisë ka vetëm 1 student të regjistruar, ndërsa deri tani nuk ka asnjë të regjistruar që dëshiron të studiojë gjuhën frënge.

Ndërsa fakulteti me kuotat më të larta të kërkuara është ai i drejtësisë me 300 por që të regjistruar janë vetëm 43 studentë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 02/10/2023 23:34

    Duket qe studentet kane gjetur nje /vrime/ ne ligjin e shtetit per studentet e mjekesise dhe po hyjne nepermjet saj,ne vend qe te perdorin deren! I kane rene hilese qe infermjeria nuk eshte me kontrate pune te detyruar ne vend si doktoret,ka me pak pergjegjesi dhe paga eshte e kenaqeshme (po te flasim per punesim jashte).Sikur te mos ishte kontrata, shumica e ketyre do te regjistroheshin per doktore e jo infermjere.Ka ardhur koha qe shteti t'a mbylle dhe kete /loophole/ ne sistem dhe te vendose kontrate dhe per infermjere, qe te mos kete rrjedhje dhe ne kete dege, qe papritmas ne menyre te dyshimte fillon te duket shume interesante dhe e preferuar!

    Përgjigju
  • ish student: 02/10/2023 14:04

    shqiptaret jane bere pragmatik dhe po ndjekin vendet e punes, nuk po ndjekin titullin. ka shuem dege te cilat duhet te lirojne vendte per deget e kohes IT, infiermeri, mjekesi etj.

    Përgjigju
  • Toni: 02/10/2023 12:24

    Te gjithe mendjen per te ikur, tek infermeria.

    Përgjigju
  • Albi: 02/10/2023 11:57

    Shqiperia qe duam ....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?