Përurimi i punimeve për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, do quhet 'Zemra e Tiranës', Rama: Gur i çmuar, do organizohen aktivitete ndërkombëtare

21 Dhjetor 2022, 10:12| Përditesimi: 21 Dhjetor 2022, 14:34

  • Share

TIRANË - Teatri i ri Kombëtar do të quhet ‘Zemra e Tiranës’. Kanë nisur punimet për godinën e re që do të jetë me standarde europiane dhe do të organizohen aktivitete ndërkombëtare. Sot u mbajt ceremonia e përurimit të punimeve, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi projektin si gur të çmuar mes gjerdanit të veprave që e kanë transformuar kryeqytetin dhe do të jetë destinacion ndërkombëtar. 

"Ky projekt është një tjetër gur i çmuar në një gjerdan veprash që praktikisht e kanë nxjerrë Tiranën jashtë vetes, jashtë kornizës së vjetër të vetes dhe e kanë projektuar si një kryeqytet europian ku ndodhin dhe bëhen gjëra që tërheqin vëmendjen edhe të të tjerëve", tha Rama.

Në përgjigje të kritikëve, Rama sqaron se nuk do të ndërtohet asnjë kullë në sheshin e Teatrit duke i dhënë fund spekulimeve. Po ashtu kujton se luftën ndaj godinës së vjetër e kishte shpallur që në fund të vitit 1998 dhe më në fund do të bëhet i mundur ndërtimi i një teatri të denjë. Kreu i qeverisë kujton se protagonistët e komunitetit kishin mosbesim për shkak të zotimeve të dhëna dekada me radhë ndërsa vijonin të punonin në kushte shumë të vështira. Kreu i qeverisë bëri një krahasim të stadiumit me Teatrin duke thënë se pati rezistencë për të mos e prekur, por u bë realitet një stadium ku u luajt një finale europiane që mori vëmendjen e të gjithë botës. Marrëveshjen me arkitektin danez Bjarke Ingles e konsideroi si “Pazar të mirë”. Po ashtu zbulon edhe një detaj nga biseda kur e bindi që të mos vendosë tarifa të larta për ndërtimin e projektit.

Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm edhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe artistë të mirënjohur të skenës së teatrit ndër vite. Veliaj tha se Teatri do të jetë në tokën e tij dhe më i madhi e më i bukuri në rajon. Ndërsa Elva Margariti u shpreh se vizoni i kësaj qeverie e sheh kulturën si kryefjalë të një zhvillimi.

Mes të tjerash u prezantua në detaje projekti i Teatrit nga arkitekti danez Bjarke Ingels, një vepër arkitektonike e shekullit XXI, që do të mirëpres artëdashësit nga marsi i vitit 2025.

Ndërtesa e re do të ketë formën e një Fjongo që ndan qartazi 3 hapësirat apo zonat funksionale të një teatri: Front of House, apo zona ku ndërveprojnë vizitorët me të gjithë hapësirat e nevojshme si holli, foyer, black box; Back of House, zona e përshtatur për ambientet administrative, teknike, dhe hapësirat e nevojshme për aktorët dhe qendra apo lidhja e te dyjave me sallën kryesore të teatrit; Salla Kryesore në Qendër. Për shkak të formës së objektit krijohen 4 hapësira kryesore performimi me 1,514 ulëse. Puna për teatrin e ri ka nisur pasi u shpall kompania fituese Agi Cons dhe Re-Is. Tenderi kushtoi 1 miliard e  840 milionë lekë. 

Me nisjen e punës për hapjen e themeleve të Teatrit të ri Kombëtar, u vendos në mënyrë simbolike guri i të themelit për këtë vepër arkitektonike mbresëlënëse të Tiranës së shekullit XXI. Teatri i Ri, do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, po edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Europë.

Ora 12:33
VIDEOLAJM/ Në shoqërinë e Tinka Kurtit e Robert Ndrenikës Rama ndjek punimet teksa vendoset ‘guri i qoshes’ në themelet e Teatrit

 

 “Guri i qoshes” u quajt projekti i teatrit të ri ishte ajo që u vendos ditën e sotme në themelet e teatrit të ri kombëtar. Në shoqërinë e aktorëve të shquar si Tinka Kurti dhe Robert Ndrenika, Rama, kryebashkiaku dhe arkitekti panë ceremoninë finale të përurimit të Teatrit të ri.

Ora 12:30
Përurimi i teatrit, Rama ‘zbulon’ bisedën me arkitektin: I thashë, s’jemi vend për ato tarifat e frikshme, kemi bërë pazar të mirë

 

Kryeministri Rama zbuloi se çfarë i kishte thënë arkitektit më përpara se të realizonte projektin e teatrit të ri. Rama u shpreh se i kishte thënë arkitektit se nuk jemi vendi për të vendosur ato tarifat e frikshme dhe se kishin bërë një Pazar të mirë për projektin. Me humor, Rama u shpreh se arkitekti do ketë se çfarë të rrëfejë kur ta pyesin nëse ka bërë ndonjë gjë të mirë në jetë e jo thjesht për të pasurit me “skonton” që bëri në Tiranë.

“Është një nga arkitektët më të shtrenjtë që të jemi të qartë dhe jemi falënderues sepse e ka kuptuar që nuk ishte ky vendi për të vendosur ato tarifat e frikshme dhe mund të them që kemi bërë pazar të mire. I kam thënë Bjarkes që bëje këtë gjë për Shqipërinë dhe shqiptarët sepse do ta kesh si argument që kur të shkosh tek Shën Pjetri, e të thotë: “mor, djalë, mirë fitove tërë ato lekë po ndonjë gjë të mirë për njerëzit bëre apo thjesht punove për kapitalistët dhe për të pasurit?” Edhe do t’i thuash, shiko se  kam bërë dhe një teatër atje në Tiranë ku kam bërë një skonto të rëndësishme”, tha Rama.

Ora 12:16
Rama: Do ndërtojmë teatrin më të bukur në rajon, njëlloj si stadiumi! Fëmijët meritojnë shfaqje moderne

 

Kryeministri Rama u prononcua për mediat edhe pasi përfundoi fjalën e tij në përurimin e teatrit. Rama u shpreh se fëmijët meritojnë më tepër shfaqje moderne.

“Do ndërtojmë një teatër që do jetë më i bukuri në rajonin tonë. Njëlloj si stadiumi. S’do jetë vetëm një hapësire brenda për brenda por e gatshme për koncerte ndërkombëtare, festivale etj. Sepse fëmijët meritojnë më tepër se shfaqet që marrin sot, që s’kanë lidhje me kohën.”- tha Rama.

I pyetur për grupin protestues, Rama u shpreh se grupi i çingiljeve vazhdon të anojë nga e kaluara.

“Unë nuk merrem me ftesa jam i ftuar vetë.  Grupi i çingiljeve të koncertit 36 vazhdon.”- tha ai.

I pyetur për çështjen e detit dhe kompromisit të arrirë ditën e sotme shoqëruar me akuzat e opozitës, Rama u shpreh se njerëzit janë të lirë të fantazojnë çdo gjë.

“Janë të lirë njerëzit të fantazojnë në çdo gjë që ju vjen nëpër mend, mjaftojnë ti bëjnë në formë paqësore. Nga pikëpamja tjetër kush do qash, kush do qesh kushdo ju përshëndet si unë.”- tha ai.

Ora 12:15
Përurimi i teatrit, Altin Basha: Godina e re i përket së ardhmes! Është moment për artin e kulturën shqiptare

 

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha i pranishëm në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar tha se ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për artin dhe kulturën, por për gjithë shoqërinë shqiptare. Ai u shpreh se ka qenë dëshmitar i përpjekjeve të vazhdueshme të trupës së Teatrit Kombëtar, të cilët, siç thekson Basha, tek ajo godinë nuk gjenin mjetet për të bërë artin e tyre.

“Godina e re i përket të ardhmes. Artistët nuk gjenin mjetet te teatri i vjetër për të bërë art”- tha Altin Basha.

 Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha i pranishëm në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar tha se ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për artin dhe kulturën, por për gjithë shoqërinë shqiptare. Ai u shpreh se ka qenë dëshmitar i përpjekjeve të vazhdueshme të trupës së Teatrit Kombëtar, të cilët, siç thekson Basha, tek ajo godinë nuk gjenin mjetet për të bërë artin e tyre.

Sipas tij, ndërtimi i Teatrit të ri do ti shërbejë jo vetëm artistëve aktualë, por edhe brezave të ardhshëm.

“Është një moment për artin dhe kulturën shqiptare, por edhe për gjithë shoqërinë.

Unë jam një person që kam qenë dëshmitar i përpjekjeve edhe i vuajtjeve dhe frustrimeve të vazhdueshme të trupës së Teatrit Kombëtar që sot nuk jetojnë më që tek ajo sallë nuk gjenin mjetet për të bërë artin e tyre. Ata kërkonin një zgjidhje që të ishte e plotë, e sigurt për të ardhmen dhe përfundimtare. Ky diskutim ka nisur që në vitet 50. U deshën 70-80 vjet që dëshira e tyre të kishte një zgjidhje dhe kjo zgjidhje ishte më e mira e mundshme për një teatër të ri, një teatër të investuar me paratë e taksapaguesve. Ky teatër nuk i përket vetëm të tashmes, por edhe të ardhmes”, tha Basha.

Ora 12:05
Rama: Në Teatrin ri Kombëtar do organizohen aktivitete ndërkombëtare, do ketë standarde europiane

 

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij gjatë përurimit të Teatrit të ri bëri një krahasim me stadiumin dhe të gjithë ata që bënin rezistencë për të mos e prekur. Kreu I qeverisë u shpreh se godina e re do të jenë në nivel europian dhe do të organizohen aktivitete ndërkombëtare.

Faktikisht, është shumë e lehtë sot me këtë projekt që ne fillojmë të realizojmë që ne të bëjmë një paralele me stadiumin, stadiumin që ne e kishim dhe që praktikisht as për stadium nuk mund të përdorej dot më sepse u fut në listën e zezë të UEFA-s dhe të FIFA-s dhe u ndalua organizimi i ndeshjeve ndërkombëtare të Shqipërisë apo skuadrave shqiptare në kompeticionet ndërkombëtare.

Në ndërkohë, vazhdonte një rezistencë absurde për të mos e prekur stadiumin kur në fakt, ishte shumë e qartë që nga pikëpamja e vlerës historike, e vlerës arkitektonike, e vlerës urbanistike, stadiumi ishte vetëm në një pjesë të tijin ai që kishte qenë në krye të herës ndërkohë që gjithë pjesa tjetër ishte një shtesë që e kishin sjellë vitet dhe që nuk kishte asnjë vlerë nga kjo pikëpamje.

Megjithatë, për t’i rënë shkurt kësaj pjese, ne e ndërtuam stadiumin dhe unë jam i bindur që askujt, deri përpara sesa stadiumi të bëhej realitet, nuk i ka shkuar mendja se do vinte dita që në Shqipëri të luhej një finale europiane dhe që Tirana të ishte destinacioni i një finaleje europiane që të merrte sytë e gjithë botës mbi vete.

Ja pra, ndodhi dhe ndodhi sepse ne ndërtuam një stadium të denjë dhe që i plotëson të gjitha kushtet për një finale europiane dhe më besoni që janë kushte shumë të panumërta.

E njëjta gjë do të ndodhë dhe me Teatrin sepse pa diskutim ky teatër nuk do të jetë vetëm një destinacion për komunitetin tonë të spektatorëve, të dashamirësve të teatrit dhe një vend prodhimi të shfaqjeve për komunitetin e aktorëve tanë, por do të jetë një vend ku pa diskutim me shumë probabilitet do të organizohen dhe aktivitete ndërkombëtare, do të organizohen festivale ndërkombëtare, do të zhvillohet një hapësirë ku  do të ketë ballafaqim këtu në Tiranë të teatrove të ndryshëm nga rajoni, nga Europa, nga bota dhe jam absolutisht i bindur për këtë.

Duke e mbyllur me këtë pjesë edhe me krahasimin me stadiumin dhe shprehjen e bindjes që ky teatër do jetë një destinacion edhe ndërkombëtar”, tha Rama.

Ora 12:01
Rama: Sot zgjidhet misteri i ‘kullave’! Ky është teatri, ky është sheshi! Çfarë nuk ecën keni punë me Lali Erin, unë e mbarova detyrën time

 

Kryeministri Rama u shpreh se me përurimin ditën e sotme të teatrit kombëtar, do të marrin fund spekulimet dhe “misteri” i kullave në tokën e teatrit. Me humor, kreu i qeverisë u shpreh se ka mbaruar detyrën e tij dhe për çdo “problem” të mëtejshëm mund të adresohen te kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Patjetër që hyjnë në mes paragjykimet e lidhura me këtë kohë që ne jetojmë, ku sigurisht kemi parë shumë skena, le të themi, shqyerje të pronave, shqyerje të pasurive publike në dekada dhe vetvetiu u krijua një instinkt vetëmbrojtjeje me idenë që mbase, kjo ishte një grackë e madhe dhe këtu Teatri Kombëtar do ishte thjesht një alibi për të bënë një zhvillim për qëllim fitimi dhe do të mbetej nën hijen ose nën barkun e një kulle apo një kompleksi kullash.

Nuk mund të them dot ta gëzoni sepse nuk keni ça të gëzoni për momentin po tani mund të them që çfarë nuk ecën, e keni me lali Erin, unë e mbarova punën time.”- tha Rama.

Ora 11:54
VIDEO/ Thirret Ezani, Rama ndërpret fjalimin për Teatrin e ri Kombëtar: Ta pranojmë këtë bekim

 

Kryeministri Edi Rama ka ndërprerë fjalimin për Teatrin e ri Kombëtar pasi po thirrej Ezani në xhaminë e Tiranës.

“Kush nuk do të donte… ta pranojmë këtë bekim tani. Në këtë rast vjen për mirë, nuk e di sa e ndihmon shfaqjen”, tha Rama.

Ora 11:51
Përurimi për ndërtimet e teatrit, Rama: I kisha shpallur 'luftë' asaj godine që kur isha ministër kulture! Ky projekt, gur i çmuar në gjerdan veprash

 

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar gur të çmuar në një gjerdan veprash projektin e ri për teatrin kombëtar. Duke kujtuar se qysh prej periudhës kur ishte ministër kulture i kishte shpallur luftë asaj godine të vjetër, Rama tha se edhe pse shumë vonë, me këtë projekt Tirana ka kapërcyer pritshmëritë. Tirana tashmë ka gur të çmuar në një gjerdan veprash që e kanë shndërruar metropolin, theksoi Rama.

Rama u shpreh se edhe pse e kishte të vështirë, arriti të kuptonte revoltën e komunitetit të teatrit ku tha se për shkak të kohëve dhe premtimeve të pambajtura u pajtuan me një realitet që i përkonte asaj kohe.

“Ndërkohë që kur po prisnim aty jashtë dhe erdhi arkitekti, i thashë, “nuk besoj se në jetën tënde ke pasur ose do kesh më një inaugurim me polici që rrethon vendin e fillimit të punimeve”. Ndërkohë, ajo që ka rëndësi dhe që është e bukura e kësaj skene është që prefektin e “Koncertit të Vitin ’36” e kemi këtu me ne, nuk është në anën e atyre që donin të prishnin koncertin. Nuk kemi çfarë bëjmë, kjo është historia bashkëkohore e zhvillimit të këtij vendi.

Ndërkohë që e kam menduar shpeshherë pse komuniteti i teatrit, duke i lënë mënjanë ata të cilët teatrin, stadiumin apo sheshin Skëndërbej apo të gjitha veprat e tjera i kanë parë si platforma për të kërcyer vallen e shpatave të politikës, por pse komuniteti i teatrit? Pavarësisht bindjeve, simpative normale që protagonistët e komunitetit i kanë të ndryshme kur vjen puna tek politika, kishin një mosbesim, thuajse konsensual lidhur me këtë proces edhe lidhur me dëshirën dhe vullnetin, bashkë me ambicien nuk diskutohet, për të ndërtuar më në fund, një teatër të denjë për këtë emër si Teatër Kombëtar!

Mbase nuk arrij dot t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje në mënyrë shteruese, por besoj që një nga arsyet ishte që për shumë kohë, për shumë, shumë kohë, komuniteti i Teatrit Kombëtar u pajtua, në pamundësi për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve, me inercinë e të jetuarit dhe të punuarit në kushtet shumë të vështira që kishte infrastruktura e mëparshme e Teatrit dhe dekada e dekada të tëra kaluar me premtime, me zotime, por asnjëherë nuk u bë mbarë askush që vërtetë t’i hynte seriozisht punës për të ndërtuar një Teatër të ri Kombëtar.

Më vjen mirë që më në fund të gjitha këto u fashitën. Patjetër që nuk e heq veten mënjanë sepse besoj që uniteti i krijuar mes aktorëve lidhej edhe me faktin që unë ia kisha shpallur luftën asaj godine qysh në vitin 1998 kur u bëra ministër kulture dhe kaloi shumë kohë, kaloi shumë kohë, kur mendon që nga ’98 deri më sot mund të ishin hedhur hapat e nevojshëm dhe mund ta kishim Teatrin Kombëtar shumë kohë më parë, realisht ka kaluar shumë kohë, por nga ana tjetër, besoj që për hir të vërtetës, nuk do të kishim pasur këtë projekt që kemi sot. Mund të kishim pasur patjetër një Teatër Kombëtar të mirë, modern, me kushte optimale për komunitetin, qoftë të aktorëve e qoftë të spektatorëve, por nuk do të kishim arritur në këtë projekt.

Ky projekt shkon përtej një Teatri Kombëtar të mirë për Shqipërinë. Ky projekt është një tjetër gur i çmuar në një gjerdan veprash që praktikisht e kanë nxjerrë Tiranën jashtë vetes, jashtë kornizës së vjetër të vetes dhe e kanë projektuar si një kryeqytet europian ku ndodhin dhe bëhen gjëra që tërheqin vëmendjen edhe të të tjerëve”- tha Rama.

Ora 11:44
Nga Robert Ndrenika e Tinka Kurti, kush janë aktorët që marrin pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e Teatrit të Ri

Robert Ndrenika, Luiza Xhuvani, Artan Imami, Tinka Kurti, Luftar Paja, e shumë emra të tjerë, që kanë lënë gjurmë në skenën e Teatrit Kombëtar, ishin të pranishëm në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e godinës së Teatrit të Ri. 

Po ashtu, të pranishëm ishin dhe artistë të tjerë si Kastriot Çaushi, Dritan Boriçi, Gaz Paja, Lulzim Zeqja, Arben Derhemi, Indrit Çobani dhe drejtori i ri i teatrit, Altin Basha. 

Sot u çelën zyrtarisht punimet për godinën e re, e cila do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës së shekullit XXI, që njësoj si stadiumi i ri kombëtar do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, po edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Europë.

Ora 11:37
Arkitekti Ingels shpjegon si do të jetë Teatri i ri Kombëtar: Do të ketë hapësira publike deri në tarracë! Skenat me element çeliku krijojnë akustikën e duhur

 

Arkitekti danez Bjarke Ingels ka shpjeguar detaje nga teatri i ri Kombëtar.

"Kam ardhur këtu për herë të parë në 2010 kur fituam garën për Muzeun e Tolerancës që nuk u realizua dhe u riktheva për të bërë Piramidën. Praktikisht ka përfunduar dhe dua të them që transformimi i këtij qyteti në mënyrë kaq thelbësore në më pak se 10 vjet është i pakrahasueshëm në qytetet europiane.

Jemi këtu që të flasim për hapjen e themeleve të Teatrit të ri Kombëtar të vendosur në zemër të Tiranës, të rrethuar nga parqe e godina publike dhe në njëfarë mënyrë e vendosur në zonën e rehatshme të lëvizjes këmbësore dhe me objekte të reja tregtare duke transformuar zemrën e qytetit. Ideja është për një godinë publike. Nga njëra anë, e gjithë pjesa e pasme i ekspozohet pjesës publike dhe pjesa e parë, jetës publiket. Skenat janë në mes që nga kati i parë deri lart, ndërtesa është e hapur dhe ngrihet për të krijuar rrugë publike. Kemi dhe një ambient të jashtëm dhe e kthejmë çatinë në hapësirë publike. Kemi bërë që edhe gjatë ditës të shohësh si lëvizin ashensorët dhe si përgatiten skenat. Nga arkitektura kemi dhe perdet e kuqe. Fasada është i kuq. Kemi gjithashtu një sërë funksionesh nacionale dhe brenda është një shpërndarje nga pjesa e parme dhe e pasme.

Kemi dhe sallën mbështetëse si dhe tapetin e kuq. Nëse shohim tek tapeti i kuq është nga hyrja dhe shkon në të gjithë godinën. Kemi 2 shkallë të mëdha që të çojnë deri në tarracë. Në hyrjen kryesore sheh parkun me Muzeun Kombëtar. Kemi pjesën e origami palosës. Kemi një seri elementësh çeliku, disa që kthejnë dhe reflektojnë zërin që krijon dhe akustikën e duhur.  Kemi dhe skenën eksperimentale ku shihen veprimtaritë që duken nga jashtë dhe playbox me 350 vende që përdoret si pjesa e pasme e skenës. Godina është publike deri në tarracë. Jemi mundur të imagjinojmë një arkitekturë që shihet si makineri dhe shpalos kulturën", tha Ingels.

Ora 11:23
Përurimi i punimeve në Teatrin e ri Kombëtar, ministrja e Kulturës: Ata që hedhin baltë e bëjnë zhurmë boshe kishin investime vetëm 1 mln dollarë në 2013

 

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka folur në ceremoninë e përurimit të Teatrit të ri Kombëtar duke bërë një koment për opozitën.

“Siç ndodh rëndomë me këto raste, ka debate të mëdha sepse e shohin si mënyrë për të hedhur baltë e për të bërë zhurmë boshe. Po të kthehemi pas, Ministria e Kulturës në 2013 ka pasur investime 1 milionë dollar. Këtë vit ka 20. Ky është viizoni i kësaj qeverie që kulturën e sheh si kryefjalë të një zhvillimi dhe meritë e luftës të gtë gjithë atyre që ngritën zërin që ky teatër të bëhet”, tha Margariti.

Ora 11:20
Nis ndërtimi i Teatrit të Ri, Veliaj: Do jetë në tokën e tij dhe më i madhi e më i bukuri në rajon; dilemë si mund të ketë parti që protestojnë kundër ndërtimit të Teatrit

Sot u çelën zyrtarisht punimet për godinën e re të Teatrit të Ri, i cila do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës së Shekullit XXI. Njësoj si Stadiumi i ri Kombëtar do t’u shërbejë me kushte më të mira aktorëve e spektatorëve, po edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Europë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Kulturës, Elva Margariti ishin në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e godinës së Teatrit të Ri, u shpreh se sot më shumë se kurrë na duhet të kapim kohën e humbur. Ai tha gjithashtu se teatri i ri do të ndërtohet në tokën e tij, me para publike dhe do të jetë shumë herë më i fortë dhe më i bukur. Në ceremoni ishin edhe aktorët e mëdhenj si Robert Ndrenika, Luiza Xhuvani, Artan Imami, Tinka Kurti, Luftar Paja, e shumë emra të tjerë, Kastriot Çaushi, Dritan Boriçi, Gaz Paja, Lulzim Zeqja, Arben Derhemi, Indrit Çobani dhe drejtori i ri i teatrit, Altin Basha.

“Sot jam mirënjohës për profesor Bertin, për Luizën, për Tanin, për Tinkën, për Luftarin dhe Kaçin, Altinin e shumë të tjerë, të cilët në fakt, kur e nisëm këtë debat, kishim opinione të ndryshme, por në demokraci ne biem dakord që të mos biem akord, ama sot kemi dakordësuar diçka shumë të madhe: që Teatri do të jetë në tokën e vet, në territorin e vet, pa lëshuar asnjë centimetër, as privatit, as kujt tjetër. Sot kemi rënë dakord që Teatri do të ndërtohet me para publike dhe jo me partneritet, sepse vendosëm që të vinim mënjanë, me vendim të Këshillit të Ministrave dhe këmbënguljen e Kryeministrit Rama, që të bëhet me paratë e buxhetit dhe ne të kemi mundësi që me para publike, në tokë publike, të bëjmë një teatër 9 herë më të madh, më të fortë dhe sigurisht më të bukur në rajonin tonë,” u shpreh .

Besimi, bashkëpunimi, dashuria, puna është ajo që na çon përpara tha Veliaj.

“Për mua është një dilemë shumë e madhe se si mund të ketë ende forca politike kundër Teatrit? Si mund të ketë forca politike kundër sheshit? Si mund të ketë forca politike kundër këndit të lodrave? I quaj forca politike se nuk janë as parti. Janë një konglomerat, një aliazh copëzash të partive të ndryshme, asnjë parti integrale nuk është e përfshirë në këtë histori, është vërtet për të ardhur keq. Të mendosh që shumë prej këtyre lëvizjeve politike filluan si dramë, vazhduan si tragjedi dhe përfundojnë sot si komedi. Filluan si dramë sepse ishte dramatik ndryshimi i sistemit, ishte dramatik ndryshimi, rënia e murit të Berlinit, hapja ndaj demokracisë; ishte tragjike pastaj, që shumë prej këtyre personazheve u shpallën non-grata, kurse sot nuk kalojnë dot përtej aeroportit të Rinasit apo portit të Durrësit. Është komedi kjo që ndodh sot, kur ato lëvizje që nisën si shpresë, nisën si dramë, kaluan këto tragjedi, sot në fakt janë kthyer në vepra shumë të lira komike. Një komedi e tillë Tirana nuk ia ka borxh dhe unë besoj që sot, më shumë se kurrë, na duhet të kapim kohën e humbur,” vijoi kreu i Bashkisë.

Ai tha po ashtu se, “sot jemi në një situatë ku kemi konsensusin më të madh të artistëve dhe arkitektëve. “Kemi sot një dakordësi që qyteti ka nevojë për një hapësirë të tillë, ashtu siç janë bërë hapësira fantastike Piramida, Pazari, Sheshi, Liqeni, Unaza e Vogël, Unaza e Madhe, Stadiumi Kombëtar dhe shumë vepra të tjera që e kanë rritur cilësinë e jetës dhe vlerën e pronës në qytetin e Tiranës.

Ai falenderoi arkitektin e famshëm danez, Bjarke Ingels për të cilin tha se sapo ka projektuar stacionin e parë hënor dhe sot është identifikuar me Teatrin e Tiranës. “I japim një mirëseardhje shqiptare të gjithë çunave e gocave, që kanë ardhur nga Kopenhagen. Bjarke sapo ka projektuar stacionin e parë hënor dhe siç e provoi, duke ardhur këtu sot, është më e vështirë të bësh një teatër në Shqipëri se sa të bësh një stacion në Hënë, por më vjen mirë që një emër kaq i madh është identifikuar me një vepër që do jetë pa dyshim vepra më e bukur e artit dhe kulturës në gjithë gadishullin e Ballkanit,” nënvizoi Veliaj.

Ora 10:30
Nisin punimet për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, zona rrethohet me policë! Protesta e AMT: Rama dhe Veliaj nuk dalin para nesh

1671615419_finalprojekt.00020710.Still003.jpg

Para se të niste ceremonia e përurimit të çeljes së punimeve për Teatrin e ri Kombëtar, zona u rrethua me forca policie. Aty ishin të pranishëm disa qytetarë që bërtisnin: “O hajdut. Shko në gjykatë, shko  në burg. Do të të vijë dita.” 

Me të mbërritur kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, iu përgjigj qytetarëve shkurt duke i thënë: “Mezi po e pres”. Ndërkohë u kryhen kontrolle e verifikime të personave që kalonin perimetrin e sigurisë.

Në skajet e perimetrit të sigurisë  “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” organizoi edhe protestën e saj të parë që pas shembjes.

“Ne i jemi drejtuar gjykatës kushtetuese me kërkesë për të pezulluar punimet. Me të njëjtën kërkesë i jemi drejtuar gjykatës së Strasburgut. Sot Veliaj e Rama, janë qartas të mafies së betonit, të një grupi të strukturuar kriminal. Është e njëjta histori si në 2020. Hyjnë e dalin nga dyert e mbrapme. Nuk kanë kurajë të dalin para aleancës se teatrit”, tha Adriana Kalaja.

Komento

Komente

  • Aleko: 22/12/2022 17:56

    Haha cjane gjithe keta idjot qe kundershtojne kete teater monumental..Keta duan qe shqiperia te jetenje kasolle me jashte..vafshi ne dreq o ndyresira

    Përgjigju
  • Doni: 21/12/2022 15:35

    Teatri kombetar qe do ngrihet modern si u ngrit stadiumi Qemal Stafa

    Përgjigju
  • karadakliu: 21/12/2022 13:47

    Inatxhinjte,"dashamiret e artit", ndoshta e harrojne ndetuesit e atij objketi qe te kujtonte nje te kaluar jo fort qellimmire ndaj shqiptareve.Quni(Lajqi) pat thene:"mezi tejkalova qendrimin ne skene nga kundermimi".

    Përgjigju
  • Geni: 21/12/2022 13:07

    Te mbaroje sa me pare kjo veper e mrekullueshme kulturore e artistike

    Përgjigju
  • Franko: 21/12/2022 13:06

    Teatri eshte nje vlere kulturore shume e madhe per ne

    Përgjigju
  • Vertet?: 21/12/2022 13:02

    Cfare u be me TOB , mbaroi apo jo? Leket kane mbaruar per rikonstruksionin por me duket se nuk mund te jepen shfaqje per shkak te austikes. Te jete e vertete?

    Përgjigju
  • titi: 21/12/2022 12:07

    fantastike shume bukur do te behet

    Përgjigju
  • Arbërori: 21/12/2022 11:52

    Edvin shkjau shqipfolës, trego se edhe serbia ështé duke financuar terrin e Ri fashizoid serborus o tradhtar

    Përgjigju
    • Arbërori: 21/12/2022 20:29

      O Dory o legen m… Edvin shkjau shqipfolës e ka pru Kosovën në buzë Germund me vllaun e tij vucic o i pështirë, Albin Kurti ështé Shqiptarë, Xhaka ështé Shqiptarë e ti o Dory je Dragani nga serbia o i pështirë

    • Dory: 21/12/2022 16:53

      Shif punet e albinit we po ju gropos è te xhakes qe ne veprimi prej rrugaci po ju ngre lart emrin è kosoves

  • Ethem Lalaj: 21/12/2022 11:10

    Bravo E.Rama,LaliEri.Vetëm Ju do e bëni Shqipërinë.Hienat le të pëlcasin nga CMIRA. -Urojmë që TEATRI RI TË BËHET SA MË SHPEJT. -Opozita me Non gratën dhe Spiunin janë në grahmat e fundit..!

    Përgjigju
  • Fieri: 21/12/2022 10:41

    Po po dita do vij as mos ta mendoj njeri qe sdo vij dita. Por jo akoma. Duhet Avni Rustemi qe te vij dita.

    Përgjigju
    • Tirana: 22/12/2022 03:07

      Fieri - nuk e dija qe Avni Rustemi na ishte nga Fieri. Lalucet nuk jane shkuar per trimeri gjate gjithe historise se Shqiperise

    • Arbërori: 21/12/2022 15:12

      ????????

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?