Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një postimi për nisjen e pontifikatit të Papës së ri, Papa Leone XIV.
Spiropali ka uruar fillimin e pontifikatit të Atit të Shenjtë, duke thënë se mbështetja e tij do të jetë mbi nevojën për dialog dhe solidaritet në kohë të vështira.
Postimi i Spiropalit:
“Në profilin e Tij në rrjete sociale, Ati i Shenjtë ka të shkruar fjalën latine "Pontifex" që është emërtesa e Papës që prej fillimit të Mesjetës e do të thotë “Ai që ndërton ura”!
Ura dashurie, ura vëllazërie, ura dialogu urojmë të jenë bekimet e fillimit e vazhdimit të Pontifikatit të Shenjtërisë së Tij Leone XIV, në këtë kohë plot trazira, pasiguri, vuajtje, rreziqe e konflikte.
Fjalët e Tij sot tingëllonin aq të vërteta dhe ftuese për hapjen e mendjeve të atyre që kanë mbi supe përgjegjësinë e fatit të popujve. Fjala e vërtetë është zanafilla e çdo hapi drejt së mirës."-shkruan Spiropali.
Ungjilli i Gjonit na sjell në vëmendje se: “Fjala u bë njeri e banoi ndër ne… e … prej plotësisë së Tij të gjithë morëm hire e mbi hire”!
Paçin hirin e Hyjit të gjithë njerëzit vullnetmirë e paçim zemra e veshë të hapur të gjithë për të pritur mesazhet plot shpresë të Papës! Bekimet e Hyjit qofshin me Atin e Shenjtë dhe me të gjithë ne, gjatë misionit të Tij hyjnor!”
Komente
