Përmes një postimi në rrjetin social Facebook kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ndarë lajmin e shkëlqyer për banorët e zones së Astirit, atë të nisjes së punimeve për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare.
Veliaj shprehet se shkollës së re në rrugën “Muharrem Çaushi” nuk do t’i mungojë asgjë dhe do të ketë të njëjtat standarde si 45 shkollat që janë ndërtuar këto vite në Tiranë, qofshin në qendër apo në periferi, dhe do t’i ofrojë 600 nxënësve të saj kushte të shkëlqyera mësimi. Kryebashkiaku ka falenderuar banorët e zones për durimin dhe shprehet se mezi pret nisjen e punës edhe për ndërtimin e gjimnazit të ri.
Postimi i plotë:
Nisja e punimeve për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare te zona e Astirit është një lajm i shkëlqyer për të gjithë banorët që jetojnë aty, por edhe një premtim i mbajtur nga Bashkia e Tiranës, pavarësisht se jemi sharë e sulmuar si për çdo projekt tjetër fantastik që kemi realizuar në qytetin tonë.
Qytetarët që jetojnë në këtë zonë e dinë fare mirë se çfarë trashëguam nga ish-komuna, që dikur drejtohej nga sharësit sistematikë të çdo projekti të bukur të Tiranës, dhe se sa e vështirë ka qenë për të gjetur një terren bosh ku mund të ndërtonim shkollat e aq shumë kërkuara.
Por, siç e them shpesh, fjalët nuk kanë rëndësi tani: janë veprat ato që qëndrojnë kokëfortë përballë çdo sulmi.
Siç e patëm premtuar, shkollës së re në rrugën “Muharrem Çaushi” nuk do t’i mungojë asgjë; do të ketë të njëjtat standarde si shkollat që kemi ndërtuar këto vite në Tiranë, qofshin në qendër apo në periferi, dhe do t’i ofrojë 600 nxënësve të saj kushte të shkëlqyera mësimi, laboratorë të pajisur me mjete, biblioteka dhe një palestër sportive.
U jam vërtet mirënjohës nga zemra banorëve që u treguan kaq të durueshëm, dhe falenderoj kolegët që punuan për ta bërë realitet këtë premtim. Mezi pres të shoh së shpejti nisjen e punës edhe për ndërtimin e gjimnazit të ri, po aq të domosdoshëm, në këtë zonë të Tiranës.
Bashkë!
Komente
