Foto ilustruese

Nisma/ 9 milionë € për forcimin e grave, përfitimet nga punësimi, postet politike deri tek të drejtat mbi pronat 

5 Mars 2020, 15:31| Përditesimi: 5 Mars 2020, 15:47

  • Share

Në Kuvendin e Shqipërisë po shqyrtohet një marrëveshje për marrjen e një huaje me vlerë 9.1 milionë euro Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për rritjen e mundësive të grave në tregun e punës si dhe në posedimin e pasurive të paluajtshme.

Disa muaj më parë, edhe Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore, aprovoi një tjetër hua prej 10 milionë USD për qeverinë shqiptare, po për rritjen e aksesit të grave në mundësitë ekonomike.

Paratë do të shkojnë për zbatimin e një strategjie kombëtare për barazinë gjinore deri në vitin 2020.

Mes objektivave është edhe reduktimi me 10 % i punës së papaguar të grave si pasojë e rritjes së aksesit tek shërbimet sociale si çerdhe, kopshte, shërbime për moshën e tretë, shërbime për gratë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara; shërbime për gratë rome, egjiptiane dhe gratë nga grupet e maxhinalizuara, të ofruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. 

Gjithashtu, paratë do të shpenzohen për rritjen e numrit të grave fermere në skemat e suvencioneve si dhe garantimi i gëzimit të të drejtave të pronësisë në tokën bujqësore.

Parashikohet përmirësimi i legjislacionit mbi pronësinë e tokës bujqësore duke garantuar bashkëpronësinë e grave dhe vajzave. Do të rritet edhe numri i vajzave në shkollat profesionale në fushën e bujqësisë.

Strategjia, për zbatimin e të cilës do të ketë edhe hua të tjera, parashikon si objektiv edhe rritjen e pranisë dhe kontributit të grave në 40% në jetën publike dhe politike në nivel qendror.

Për këtë synim pritet të bëhen ndryshime edhe në Kodin Zgjedhor, për rritjen me detyrim të përfaqësimit të grave në Kuvend, bashki dhe këshilla bashkiake. 

Do të lobohet për të parashikuar në Kodin Zgjedhor vendosjen e kuotës 50% gra në listat për kandidatë për deputetë.

Strategjia parashikon nisma për të përmirësuar legjislacionin që të sigurojë minimumi me 40% gra në të gjitha bordet këshillimore dhe organet e zgjedhura.

Ndërkaq, në relacionin e marrëveshjes për huanë thuhet se “Shqipëria humb çdo vit 20 për qind të PBB-së së saj për frymë për shkak të shkallës së ulët të pjesëmarrjes së femrave në forcën e punës, mbipërfaqësimit të grave në sektorë të papaguar ose të keqpaguar dhe pagave mesatare më të ulëta për gratë, krahasuar me burrat, në pozicione të ngjashme.

Duke qenë se rritja ekonomike, ulja e varfërisë dhe mirëqenia e përbashkët lidhen me shpërndarjen efikase të punës dhe kapitalit, sigurimi i aksesit në punë me cilësi të lartë dhe në të drejtat e pronësisë mbi pasuritë produktive janë nxitësit kryesorë të përparimit socialekonomik për gratë, familjet e tyre, komunitetet e tyre dhe ekonominë e vendit”.

(Kliko këtu për të lexuar nismen e plote)

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?