Deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho

Politikë

Nisma ligjore e LSI për krimet seksuale, Xhixho: I kam kërkuar Nikollës ta shqyrtojë projektligjin brenda muajit nëntor

13 Nëntor 2021, 09:37| Përditesimi: 13 Nëntor 2021, 10:09

  • Share

TIRANË- Në kuadër të muajit të Fjongos Blu, që simbolizon ditët ndërkombëtare kundër dhunës ndaj fëmijëve dhe të drejtat e tyre, deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho bën dije se i ka kërkuar kryeparlamentares Lindita Nikolla që të shqyrtojë brenda muajit projektligjin e dorëzuar në Kuvend për krijimin e 'Regjistrit të Krimeve Seksuale'.

Nisur nga ngjarjet e fundit të abuzimeve seksuale në vend, Xhixho depozitoi më 6 nëntor në Kuvend projektligjin për krijimin e 'Regjistrit të Krimeve Seksuale'. Ky regjistër ka si qëllim krijimin e një mekanizmi ligjor që mbron fëmijët dhe gratë nga dhuna dhe sulmet seksuale duke identifikuar vendndodhjen e të dënuarave për krime seksuale dhe monitorimin i aktivitetit të tyre.

Letra e plotë:

E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit,

Më lejoni t’ju bëj me dije se më datë 5 nëntor 2021, kam depozituar sipas rregullores së Kuvendit, nismën time ligjore me objekt shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Regjistri Kombëtar i të dënuarve për krime seksuale”.

Meqenëse që prej shumë vitesh janë bërë përpjekje për të rregulluar me ligj mungesën në legjislacionin shqiptar të detyrimit për të krijuar regjistrin kombëtar të të dënuarve për krime seksuale, por që gjithnjë kanë mbetur përpjekje në tentativë, e ndërmora këtë nismë për të bërë të mundur që edhe në Shqipëri të aplikohet një standard ligjor i njëjtë si në shumë vende të BE-së edhe për këtë kategori njerëzish të dënuar për krime seksuale.

Ndërkaq, kam mësuar se një tjetër nismë ligjore me të njëjtin objekt është depozituar ne Kuvend nga organizata të shoqërisë civile, ç’ka në thelb shpreh ndjeshmërinë e lartë të shoqërisë për këtë çështje.

Kësisoj zonja Kryetare, mendoj se është në nderin tonë si Kuvend që këto dy nisma t’i trajtojmë me prioritet dhe vëmendje të veçantë, për të mundësuar miratimin e një ligji sa më funksional dhe efektiv.

Duke e njohur dhe çmuar ndjeshmërinë tuaj ndaj problematikës shqetësuese të akteve kriminale të dhunës seksuale, e në veçanti të dhunës seksuale ndaj të miturve, me angazhimin e plotë për të kontribuar maksimalisht si nismëtare e projektligjit që të krijojmë një klimë pune gjithëpërfshirëse dhe transparente, me seriozitetin që meriton trajtimi i çështjeve me ndjeshmëri të lartë në opinionin qytetar, dhe duke marrë në konsideratë edhe faktin se gjendemi në muajin e Fiongos Blu që simbolizon ditët ndërkombëtare kundër dhunës ndaj fëmijëve dhe të drejtat e tyre e gjej me vend t’ju kërkoj që të dy propozimet e administruara tashmë nga administrata e Kuvendit,  të përfshihen sa me parë në kalendarin e punimeve të Kuvendit.

E bindur në ndjeshmërinë dhe mirëkuptimin tuaj!

Projektligji i dorëzuar nga LSI

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?