TIRANË- Gjobat e vendosura për shkeljet administrative nuk duhet të vilen pa një vendim të formës së prerë nga gjykata nëse të gjobiturit kanë ankimuar.
Është ky propozimi i deputetit të opozitës parlamentare Artur Roshi, depozituar në kuvend dhe pritet të merret në shqyrtim. Ligji aktual për kundravajtiet administrative në dy nenet e tij përkatësisht 29 dhe 30 parashikon ankimin brenda një muaji nga marrja e njoftimit për gjobën dhe po ashtu në një tjetër pikë kërkon që gjoba të paguhet brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit.
E pikërisht këto dy nene sipas deputetit Roshi janë ndesh me kushtetutën pasi nga njëra anë të jepet afati 30 ditë për ankim dhe nga ana tjetër të kërkohet pagimi gjobës brenda 10 ditëve.
Sipas Roshit ky propozim ka ardhur pas ankimeve të shumë qytetarëve dhe zvarritjeve që ata hasin në dyert e institucioneve të cilat nga njëra anë i gjobisin nga ana tjetër proceset gjyqësore zgjasin në vite.
Në draftin e tij Roshi parashikon që “Gjoba dhe shumat, që duhet të paguhen sipas vendimit për kundravajtien administrative, të nxjerra në përputhje me dispozitat e këtij ligji, paguhen nga kundravajtësi nga data kur vendimi i gjykatës ka marrë formë të prerë.
Me formë të prerë të vendimit të gjykatës kuptohet vendimi i gjykatës së apelit, pra shkalla e dytë e cila jep vendim të ekzekutueshëm.