Një denoncim për ish ish-ministren e Bujqësisë Frida Krifca për abuzim me fondet e Bashkimit Evropian është depozituar këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Denoncimi është bërë nga Partia ‘Nisma Thurje’. Kreu i kësaj force politike Endri Shabani tha se Fondet e IPARD janë vjedhur në Shqipëri dhe ndodh që për herë të parë në historinë e Shqipërisë ne përjashtohemi nga fondet e BE-së.Kallëzimi në SPAK nga Nisma Thurje është bërë për shpërdorim detyre.
‘Fondet e IPARD janë vjedhur në Shqipëri. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë ne përjashtohemi nga fondet e BE-së. Jemi para një rasti dhe tradhtimi që i bëhet fermerit shqiptar. Fermeri shqiptar detyrohet ta bëj sot se është i tradhtuar nga qeveria e vet. Ne jetojmë në një nga vendet më pjellore në Europë. Mirë që e kanë lënë fermerin vet, mirë që i heqin aksesin nëpër tregje fermerit, por edhe kur vijnë fonde nga BE, që ta ndihmojnë fermerin shqiptar edhe këto lekë i vjedhin me të njëjtën grup oligarkësh. Ky është populli më pro evropian në Europë.’- tha Endri Shabani.
‘Ka qenë gjithë zinxhiri drejtues që ka pasur përgjegjësi administrative për të kontrolluar fondet. Kemi një raport përfundimtar nga OLAF dhe me persona konkretë. Kemi kallëzuar për shpërdorim detyre.’- tha Pano Sako.
Në lidhje me këtë çështje ishte Zyra Evropiane kundër mashtrimit Ekonomik e cila tha për Report Tv se ka mbyllur hetimin në lidhje me fondet e financimit nga programi IPARD II i BE-së në Shqipëri dhe tashmë raporti është në institucionet vendimmarrëse në Komisionin Evropian. Përmes një vendimi të marrë në korrik, KE pezulloi përkohësisht pagesat nga programi për Shqipërinë.