Ekonomi

Niveli më i ulët historik, Banka e Shqipërisë: Kredia e keqe zbret në 6.9%! Është përmirësuar gjendja financiare e bizneseve dhe rritur fuqia paguese

11 Tetor 2021, 14:04| Përditesimi: 11 Tetor 2021, 14:13

  • Share

Përmirësimi i ekonomisë së vendit në 8-mujorin e këtij viti është reflektuar edhe tek bizneset, të cilat e kanë pasur më të lehtë të paguajnë borxhet. Për këtë arsye nuk ka pasur edhe vonesa në shlyerjen e kredive dhe kjo dëshmohet në rënien e nivelit të huave me probleme.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë raportojnë se kreditë me probleme në muajin gusht kanë zbritur në nivelin më të ulët historik që prej vitit 2014 dhe qëndrojnë në nivelin e 6.9%, duke u ulur me 1.2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave nga 631,7 miliardë lekë që është totali i kredisë së dhënë për ekonominë deri në gusht, rreth 43.5 miliardë lekë janë kredi me probleme. Ndërkohë në vitin e kaluar totali i kredive me probleme ishte 48,1 miliardë lekë.

Ndikim në këtë rënie kanë dhënë edhe masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, e cila u dha mundësinë bankave të nivelit të dytë që të riskedulonin kreditë për ata klientë që kishin vështirësi financiare.

Nga ana tjetër bankat pavarësisht se kanë vijuar të kreditojnë ekonominë, kanë shtrënguar edhe kushtet për dhënien e huasë, për shkak të pasigurisë që vjen si pasojë e pandemisë dhe janë treguar më të kujdesshme në përzgjedhjen e klientëve. Shtrëngimi i masave sipas ekspertëve është edhe një mënyrë për t’u mbrojtur nga rritja e kredisë me probleme.

Por pavarësisht kësaj rënie të kredive me probleme, ende jemi në nivel më të lartë se vendet e rajonit, pasi në Kosovë në tremujorin e dytë kredia e keqe ishte 2.4%, Mali i Zi me 5.5% dhe Maqedonia e Veriut me 3.4%.

Në fillim të pandemisë COVID-19, ekspertët e bankës së Shqipërisë prisnin që kreditë e këqija të rriteshin deri në 10%, por që një rritje e tillë nuk u shkaktua, pasi edhe rënia ekonomike ishte më e ulët që parashikimet fillestare.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?