Niveli më i ulët historik, kreditë e këqija zbresin në 6.35%

10 Dhjetor 2021, 19:28| Përditesimi: 10 Dhjetor 2021, 19:30

  • Share

Gjallërimi i aktivitetit ekonomik, dhe rikthimi i xhiros për bizneset ka dhënë ndikim pozitiv në uljen e kredive me probleme. Gjatë muajit të kaluar sipas të dhënave bizneset e kanë pasur më të lehtë të shlyejnë detyrimet e tyre.

Banka e Shqipërisë raporton se niveli i kredive me probleme në muajin tetor ka zbritur në shifrën e 6.35%, që është niveli më i ulët që prej vitit 2008.

Kredia e keqe ka rënë edhe në raport me muajin shtator kur ishte 6.49%, ndërsa ulja është më e lartë në raport me tetorin e vitit të kaluar, kur sipas Bankës së Shqipërisë huatë me probleme ishin 8.29%.

Krahas uljes së huave me probleme është rritur edhe kreditimi i ekonomisë, pasi kredia e dhënë deri në muajin tetor arriti në 651,9 miliardë lekë, prej të cilës 41.3 miliardë lekë klasifikohet si kredi e keqe, nga 49.1 miliardë lekë që ishte në vitin 2020.

Ndikim në këtë rënie kanë dhënë edhe masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në vitin e kaluar, të cila u dhanë mundësinë bankave të nivelit të dytë që të rishikonin kushtet e kredive për klientët që kishin vështirësi financiare, në mënyrë që ta kishin më të lehtë shlyerjen e tyre.

Kjo ulje e shpejtë e huave me probleme, ka tejkaluar edhe parashikimet negative të Bankës së Shqipërisë, e cila në vitin e kaluar, presupozonte rritje të kredive me probleme deri në 10%.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?