Niveli më i ulët prej vitit 2021, inflacioni zbret në 2.3 %! INSTAT: Mallrat po shtrenjtohen, përveç karburantit

8 Prill, 16:51| Përditesimi: 8 Prill, 21:49

  • Share

Për të dytin muaj radhazi inflacioni në vend ka rezultuar më i ulët se objektivi i Bankës së Shqipërisë prej 3%. Instituti i Statistikave thotë se inflacioni në muajin mars ishte 2.3%, që është niveli më i ulët që prej korrikut të vitit 2021, kur sapo kishte filluar të jepte shenjat e kriza e çmimeve që kulmoi në vitin 2022. Ndërsa në muajin shkurt inflacioni ishte 2.6%.

Edhe pse rritja e çmimeve është ngadalësuar përsëri inflacioni vijon të dominohet nga produktet e shportës, që janë shtrenjtuar me 1% krahasuar me muajin paraardhës.

Ndërsa në raport me marsin e vitit të kaluar, INSTAT thotë se rritja më e madhe e çmimeve u regjistruar tek mobiliet e mirëmbajtja e shtëpisë me 4,2 %, ndjekur nga “Argëtim dhe kulturë” me 3,8 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,5 %, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,3 % secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,4 %, “Shërbimi arsimor” me 2,3 %. Ndërsa ushqimet u shtrenjtuan me 2%, më pas është shëndeti e komunikimi me rritje 1.9% dhe 0.2%. Vetëm çmimet e transportit shënuan ulje me 0,3 %.

“Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 4,7 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4,6 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4,4 %, “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 4,0 %, “mish” me 3,7 %”, thotë INSTAT.

Banka e Shqipërisë thotë se çmimet në vend po ulen, për shkak të rënies së inflacionit në tregjet e huaja, por kostot e prodhimit në tregun vendas mbeten të larta. Edhe pse inflacioni në shkurt e në mars ishte më i ulët se 3%, banka e Shqipërisë gjykon se është ende herët për të ulur normën bazë të interesit.

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?