Ekonomi

Agjenci Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit, zv.ministri Musabelliu: Mbrojmë blerësit online, gjoba kompanive abuzuese

23 Korrik, 17:07| Përditesimi: 23 Korrik, 19:10

  • Share

Ministria e Ekonomisë ka hedhur për konsultim publik një projektligj të ri që si synim ka mbrojtjen e konsumatorit nga abuzimet me produktet që blejnë.

Zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Enkelejd Musabelliu ka shpjeguar në Report TV se përmes projektligjit të ri synohet të mbrohen konsumatorët nga abuzimet me cilësinë, sasinë por edhe çmimin e produkteve.

“Flasim për mbrojtjen e konsumatorit sa i përket informacionit që i jepet për një mall apo produkt të caktuar. Pra nëse etiketë thuhet se ka këto apo ato cilësi një mall i caktuar, konsumatori i beson etiketës, por nëse etiketa është e gabuar edhe konsumatori është i mashtruar, se s’ka ndonjë mjet që konsumatori ta verifikojë që etiketa është në përputhje me mallin. Konsumatori do të mbrohet edhe përsa i përket sasisë së mallit”, tha Musabelliu.

Për ta bërë efektiv kontrollin dhe për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet do të krijohet një agjenci e cila jo vetëm do të trajtojë ankesat e qytetarëve por edhe do të bëjë inspektime.

“Parashikohet edhe krijimi i Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe i jepet mundësia agjencisë që jo vetëm të aktivizohet si tani nga ankesat, por edhe të bëjë inspektime, në bazë të reklamave që shikon etj. Agjencia do të ketë të drejtë të bëjë hetime administrative dhe në bazë të shkeljeve të marrë masat përkatëse. Ky projektligj i lejon mundësinë Agjencisë që në raste specifiku kur vërehet se ka abuzime në çmime që dëmtojnë interesat e konsumatorit, ligji i ri i jep mundësinë të kryej hetime për të mbrojtur konsumatorin edhe sa i takon çmimit”, sqaron zëvendësministri.

Ndër përfituesit më të mëdhenj të kësaj nisme ligjore të re janë konsumatorët që blejnë online.

“Mbrojtja e konsumatorit është shumë më shumë e nevojshme sa i përket tregtisë online. Konsumatori nuk e shikon fare mallin dhe është më e lehtë të bjerë pre e mashtrimeve të mundshme. Draftligji i ri bën të mundur mbrojtje më të madhe, për tu përhequr nga blerja, për ta ndërruar, për ta kthyer etj”, tha Musabelliu.

Fatura tatimore është element kyç që qytetarët duhet të kenë nëse bëjnë ankesë për abuzim.

“Nëse konsumatori do që të përfitojë nga mbrojtja që i jep ligji duhet që mallin ta blejë me faturë”, thotë Musabelliu.

Për tregtarët që do të abuzojnë në kurriz të konsumatorëve ndëshkimet do të jenë të larta.

“Për shkelës të mëdhenj që kryejnë shkelje në disa vende të BE-së gjobat arrijnë në miliona euro”, tha Musabelliu.

Projektligji është ende në Konsultim Publik, do të kalojë për miratim në Këshill të Ministrave dhe më pas merr vulën përfundimtare në Kuvend. Kjo nismë ligjore pritet të hyjë plotësisht në fuqi kur Shqipëria të jetë pjesë e BE.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sigurim i detyrueshëm i banesave ose s’merr shërbim nga shteti, si ju duket?