Zgjedhjet janë në thelb një garë popullariteti midis pushtetit dhe opozitës, sidomos në sisteme bipolare si ky i yni. Ndaj për të shpjeguar fitoren e Ramës në zgjedhjet e fundit nuk mjafton vetëm theksimi i strategjive dhe taktikave zgjedhore në terren, që natyrisht janë shumë të rëndësishme. Duhet identifikuar dhe mënyra se si Rama dhe PS-ja arriti jo vetëm ta ruante por edhe ta thellonte popullaritetin në raport me berishizmin dhe partitë e reja.
Në një demokraci, sado e çalë qoftë ajo, zgjedhjet i fiton ajo forcë politike që në debatin publik imponon dimensionin politik, social apo ekonomik, në të cilin ajo është më popullore se kundërshtari. Ky është rregulli bazë mbi të cilën ndërtohet një fushatë elektorale. Synimi i çdo fushate elektorale është të identifikojë dhe imponojë dimensionin ku kandidati i saj është më popullor se kundërshtari.
Kështu nëse një forcë politike, apo kandidati i saj, perceptohen nga elektorati si më të pakorruptuar se sa kundërshtari, atëherë fushata elektorale e kësaj force politike do artikulojë korrupsionin si problemin themelor të vendit dhe do ti ftoj votuesit të zgjedhin kandidatin që mund ta luftojë korrupsionin më mirë. Nëse ajo arrin ta imponojë dimensionin anti-korrupsion në debatin publik atëherë kandidati i saj do fitojë.
Ky ishte rasti i fushatës elektorale të vitit 2005 mes PD dhe PS-së. Antikorrupsioni ishte dimensioni që theksoi PD-ja, sepse Berisha në atë moment perceptohej si autoritar por jo i korruptuar. Ndërkohë dimensioni që theksoi PS-ja, me Fatos Nanon në krye, ishte demokracia dhe liria, sepse në këtë aspekt Fatos Nano kishte avantazh ndaj Berishës.
Zgjedhjet i fitoi PD-ja sepse imponoi dimensionin anti-korrupsion. E thënë ndryshe, zgjedhjet e vitit 2005 u kthyen në një referendum mbi korrupsionin më shumë se në një referendum mbi demokracinë. Dhe në momentin që debati kryesor i fushatës ishte “Kush e lufton më mirë korrupsionin?” PD-ja me Berishën dhe KOP-in e kishin fituar betejën e popullaritetit me PS-në e Fatos Nanos.
Natyrisht fitorja e PD-së në vitin 2005 nuk do kish qenë e mundur pa çarjen mes PS-së dhe LSI-së. E megjithatë pa fituar betejen e popullaritetit në fushatën elektorale PD-ja nuk do kish arritur ta thyente PS-në e Fatos Nanos në terren. Thyerja që pësoi PS-ja në terren ishte mbi të gjitha produkt i “frymës” që prodhoi PD-ja, që nuk ishte gjë tjetër vecse imponimi i dimensionit anti-korrupsion që maksimizoi popullaritetin e PD-së së Berishës përballë PS-së së Fatos Nanos.
E njëjta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit. Arritja kryesore e Edi Ramës ishte maksimizimi i popullaritetit të tij përballë Berishës nëpërmjet një fushate elektorale që theksoi dhe imponoi në debatin publik dimensionin politik në të cilin Rama kishte avantazhin më të thellë në raport jo vetëm me Berishën por edhe me partitë e reja: integrimin euro-atlantik.
Me parrullën “Shqipëria në BE në vitin 2030” dhe me ëndrrën e pashaportës evropiane Edi Rama dhe Partia Socialiste i shtroi elektoratit pyetjen e thjeshtë: Kush e fut Shqipërinë më shpejt në BE, Berisha me Partinë Demokratike, partitë e reja, apo Edi Rama me Partinë Socialiste? Ishte një pyetje pothuajse rehtorike pasi përgjigja dihej si majtas edhe djathtas.
Aftësia e Ramës për të joshur faktorin ndërkombëtar, për të kuptuar dhe kënaqur dëshirat, nevojat dhe imagjinatën e Evropës është e pashoqe në hapësirën ballkanike dhe pranohet gjerësisht nga publiku shqiptar, majtas, djathats apo në mes. Në këtë aspekt Edi Rama është politikani shqiptar me mbështetjen më të madhe euro-atlantike në historinë e demokracisë shqiptare.
Aq më tepër përballë Sali Berishës, një politikan me dy non-grata, në opozitë me SPAK, reformën e preferuar të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri. Askush në Shqipëri, majtas, djathtas apo në mes, nuk mendonte se Berisha dhe PD-ja kishin një mbështetje më të madhe ndërkombëtare se Rama dhe PS-ja. Ndaj as Flamur Noka nuk pretendonte se Shqipëria do futej në BE më shpejt me Berishën se me Ramën.
Natyrisht kampi opozitar argumentoi, madje bindshëm, se futja e Shqipërisë në BE në vitin 2030 ishte një propagandë e Ramës. Me të drejtë ata shpjeguan se është pothuajse e pamundur që të mbyllen kapitujt negociues vetëm në dy vite, duke marrë si shembull Malin e Zi dhe Serbinë që kanë shumë më tepër vite se Shqipëria në këtë proces.
Ama në politikë rëndësi ka ta përcaktosh dhe jo ta fitosh debatin. Në momentin që Rama dhe PS-ja imponuan në debatin publik integrimin evropian si sfida kryesore me të cilën përballej Shqipëria, ata e fituan betejën elektorale, si me berishizmin edhe me partitë e reja.
Më e rëndësishme se data specifike e antarësimit të Shqipërisë në BE ishte fakti i pakontestueshëm se Rama dhe PS-ja e fusnin Shqipërinë në BE më parë se Berisha dhe PD-ja. Nëse futja e Shqipërisë në BE në vitin 2030 nga Rama ishte e debatueshme, pamundësia e futjes së Shqipërisë në BE nga PD-ja e Berishës ishte e padiskutueshme, edhe nga vetë berishizmi.
Në këtë aspekt viti 2030 ishte një karrem politik me të cilin Edi Rama peshkoi të gjithë fushatën elektorale të berishizmit, duke e zhvendosur atë nga denoncimi i regjimit Rama tek çështja e integrimit euro-atlantik. Në vend që të impononte dimensonin “Demokracia në rrezik” berishizmi u fut në debatin e integrimit euro-atlantik, herë duke mohuar mundësinë e antarësimit të Shqipërisë në BE në vitin 2030, here duke mohuar mungesën e mbështetjes euro-atlantike për Berishën.
Në fakt, koalicioni elektoral i Berishës, Shqipëria Madhështore, nuk theksonte rrezikun që i kanosej demokracisë shqiptare nga një mandat i katërt i Ramës. Përndryshe aleanca e PD-së do quhej Shqipëria Demokratike ose Aleanca Mbro Demokracinë. “Shqipëria Madhështore” theksonte aleancën e supozuar të Berishës me Amerikën e Trumpit duke e kanalizuar betejën e berishizmit në dimensiónin euro-atlantik, pikërisht aty ku popullariteti i Ramës ishte i pathyeshëm.
Fakti që berishizmi ishte në disavantazh në dimensionin euroatlantik nuk do të thotë që kishte ndonjë avantazh të theksuar në dimensionet e tjera që historikisht kanë përcaktuar debatin elektoral në Shqipëri, siç janë anti-korrupsioni, demokracia, qeverisja/ekonomia, ndryshimi apo nacionalizmi. Megjithatë disavantazhi i berishizmit përballë Ramës dhe PS-së nuk ishte aq i thellë në këto dimensione sa në dimensionin euro-atlantik.
Në dimensionin anti-korrupsion PD-ja ishte në disavantazh përballë Ramës dhe PS-së sepse propozimi i tyre elektoral ishte shkrirja e SPAK, institucioni anti-korrupsion më i respektuar dhe i mbështetur nga shqiptarët në historinë e tranzicionit. Ndërkohë Rama dhe PS-ja kishin deklaruar mbështetjen e tyre për SPAK edhe pas goditjes së rëndë që morën me arrestimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Heshtja socialiste përballë SPAK u shpërblye me vota edhe në Tiranë.
Po ti shtojmë kësaj edhe faktin që ndër kandidatët për deputet të berishizmit figuronin personazhe si Gjin Gjoni, simbole të korrupsionit në sistemin gjygjësor, apo aleatë politik si Ilir Meta, simbole të korrupsionit politik, atëherë kuptohet se përse dimensioni anti-korrupsion nuk përbënte ndonjë avantazh real për koalicionin e PD-së, pavarësisht skandaleve të shumta korruptive të pushtetit socialist.
E njëjta situatë shfaqej edhe në dimensionin e demokracisë. Artikulimi i Shqipërisë si një regjim nën kontrollin autoritar të Edi Ramës që e ka kthyer Partinë Socialiste në podium të ambicies së tij personale ishte i besueshëm për aq kohë sa nuk artikulohej nga një Parti Demokratike e kthyer në aneks të familjes Berisha.
Akoma më e vështirë ishte situata për PD-në në dimensionin e ndryshimit politik. Nevoja për ndryshim politik ishte ulëritëse përballë një pushteti socialist 12 vjeçar dhe plot skandale korrupsioni. Problemi ishte se as Berisha dhe as Meta nuk mund të paraqiteshin si dallëndyshe të ndryshimit politik në Shqipëri përballë Edi Ramës, karriera shumë e gjatë politike e të cilit ishte gjithësesi më e shkurtër se ajo e Metës dhe Berishës.
E njëjta analizë mund të bëhet për shumë dimensione të tjera, si ai i ekonomisë apo i aftësisë qeverisëse, ku opozita e vjetër berishiste vështirë se mund të pretendonte ndonjë avantazh themelor përballë Ramës dhe PS-së, sidomos pas qeverisjes tejet mediokre që Basha i bëri Tiranës si kryetar bashkie, kur ishte berishist.
I vetmi aspekt ku berishizmi kishte një avantazh potencial ndaj qeverisjes Rama ishte dimensioni nacionalist. Kozomopolitanizmi i Ramës, propozimi i tij për Ballkanin e Hapur dhe deklaratat e tij arrogante se ishte mik me Aleksandër Vuçiç ndërkohë që po armiqësohej me Albin Kurtin dhe Kosovën ishin municion i fortë për artikulimin nacionalist të PD-së.
Ajo mund të kish konsoliduar një narrativë nacionaliste dhe sovraniste sipas të cilës Rama sakrifikonte interesat e kombit shqiptar, sulmonte Kosovën, bënte aleancë me Vuçiç dhe dhuronte Sazanin apo Zvërnecin, në shkëmbim të mbështetjes ndërkombëtare.
Do kish qenë një narrativë që ngjizte lehtë në imagjinatën e nacionalizmit shqiptar të tranzicionit dhe në koherencë me ligjërimin anti-komunist të së djathtës shqiptare që komunizmin e artikulon si një ideologji sllavo-ortodokse që përçau faktorin shqiptar dhe ndau Shqipërinë nga Kosova.
Ky potencial u hodh në erë dy herë. Së pari në momentin që berishizmi u rrjeshtua përkrah Fredi Belerit dhe nacionalizmit grek në jug të Shqipërisë. Së dyti, në momentin që PD-ja sovraniste u rrjeshtua në krah të Trumpizmit anti-kosovar, pro-serb dhe pro-rus. Në këto dy momente potenciali nacionalist dhe sovranist i berishizmit dhe i PD-së berishiste u sfumua tërësisht.
Për pasojë, zgjedhjet paralamentare të 11 majit, 2025 ishin nga ato rastet e rralla kur një forcë politike ishte në avantazh përballë kundërshtarit, pothuajse në të gjitha dimensionet kryesore politike, sociale dhe ekonomike që përcaktojnë debatin elektoral, siç janë demokracia, anti-korrupsioni, ndryshimi, qeverisja, integrimi euro-atlantik dhe nacionalizmi.
Në këtë aspekt zgjedhjet parlamentare të 11 maj 2025 ishin të ngjashme me ato të 22 marsit të 1992 kur Partia Demokratike me në krye Sali Berishën ishin në avantazh me kundërshtarin e tyre politik, PS-në, pothuajse në të gjitha dimensionet elektorale. Në atë moment Partia Demokratike përfaqësonte njëkohësisht anti-komunizmin, anti-korrupsionin, demokracinë, nacionalizmin, alternativën qeverisëse dhe integrimin euro-atlantik. Ndaj ajo korri fitoren më të thellë elektorale të tranzicionit shqiptar me 62% të votës.
Fitorja me 52% e PS-së sot është më e vogël sepse avantazhi që PD-ja kishte përballë PS-së në vitin 1992, në të gjitha dimensionet, ishte më i thellë se avantazhi që PS-ja me Edi Ramën kishin përballë berishizmit në vitin 2025.
Mjeshtëria e fushatës elektorale të Ramës ishte përzgjedhja dhe imponimi i atij dimensioni, integrimi euro-atlantik, ku kishte avantazhin më të thellë jo vetëm me berishizmin por edhe me partitë e vogla.
Nëse këto të fundit u përpoqën, me sukses të pjesëshëm, të theksonin dimensionin e ndryshimit dhe të anti-korrupsionit, Rama me peshën e tij të rëndë mediatike imponoi dimensionin e integrimit në BE ku avantazhi i tij edhe ndaj forcave të reja politike ishte mjaft i thellë. Askush nga liderët e rinj nuk mund të matej me staturën shtetërore, ndërkombëtare dhe evropiane të Ramës në dimensionin e integrimit euro-atlantik.
Dështimi elektoral i berishizmit, nga ana tjetër, ishte paaftësia për të ndërtuar dhe imponuar, që para fushatës elektorale, një dimension politik ku ata mund të ishin në avantazh me qeverisjen e Ramës. Shembulli më spektakolar i këtij dështimi ishte slogani zyrtar i fushatës elektorale të berishizmit “Merrni miqtë, familjen dhe eja drejt fitores”.
Në historinë e parrullave elektorale është vështirë të gjesh një parrullë më idiote se kjo. Ajo nuk theksonte as dimensonin “demokracia në rrezik”, as dimensonin anti-korrupsion, as dimensionin nacionalist apo sovranist, që berishizmi kish artikuluar prej katër vitesh përballë qeverisjes Rama.
“Merrni miqtë, familjen dhe eja drejt fitores” tingëllonte më shumë si një ftesë për kafe, ose për xhiro, se sa si një thirrje për të rrëzuar regjimin e Ramës apo për të shpëtuar demokracinë dhe Shqipërinë nga narko-shteti ramist. Ajo ishte në kontradiktë të plotë me urgjencën politike për rrëzimin e regjimit Rama që artikulonte PD-ja në fushatë.
Si është e mundur që fushata elektorale e PD-së të ishte kaq e keq-artikuluar? Si është e mundur që Partia Demokratike që ka prodhuar parrulla elektorale legjendare si “Me ne fitojnë të gjithë”, “Koha për ndryshim” apo “Me duar të pastra” që e përçonin mesazhin politik deri në subkoshiencën e elektoratit, të përfundojë në mesazhe elektorale të tipit “hajt pimë një kafe”? Dy janë arësyet e këtij dështimi.
Së pari, me një lider si Berisha apo Meta opozita e ka shumë të vështirë të ndërtojë dimensione politike fituese pasi për shumicën elektorale ata janë simbole të një klase politike të vjetër, të korruptuar dhe anti-demokratike. Me një kanditat non-grata, që përceptohet si i korruptuar, i vjetër apo autoritar është e vështirë ta ftosh elektoratin të votojë ndryshimin, integrimin, anti-korrupsionin apo demokracinë, ndaj detyrohesh thjesht ta ftosh për kafe.
Arësyeja e dytë është se fushata e berishizmit u ndërtua mbi një llogjikë familjare dhe jo elektorale. Aleanca me Trumpin, aleanca “Shqipëria madhështore” dhe kontrata e kushtueshme e LaCivitës nuk bazoheshin tek llogjika elektorale e rritjes së popullaritetit të ofertës berishiste por tek nevoja e familjes Berisha për të hequr non-gratën dhe për të kontrolluar PD-në.
Pikërisht për këtë arësye në vend që të ndërtonte një alternativë sovraniste dhe nacionaliste koherente që dënonte dhurimin e Sazanit dhe të Zvërnecit familjes Trump apo që dënonte qëndrimet e Trump kundër Ukrainës dhe pro Rusisë, berishizmi u bë trumpist. Ai heshti për Sazanin dhe Zvërnecin, heshti për qëndrimet anti-Ukrainë, pro Serbi dhe pro-Rusi të trampizmit, dhe pasi deklaroi se ishte sovranist harxhoi 6 milion euro për një çertifikatë pafajësie në Washington.
E gjitha kjo sepse halli ishte te non-grata dhe jo tek fushata. Kjo është tragjedia e një partie politike që fushatën elektorale nuk e ndërton për të mbajtur votuesit por për të mbajtur kryetarin.
Komente

Edi Rama gjeja e pare qe duhet te beje eshte te ndreqe gabimin e tij dhe te shembe ndertesen e zeze te sheshi Skenderbe. E shemton sheshin dhe eshte bere me para te pista. Aty duhet te ringrihet ish-bashkia e ndertuar nga italianet.
Përgjigju