Një avion ushtarak amerikan është rrëzuar në Mesdheun Lindor pas një “aksidenti” të pazbuluar gjatë një fluturimi stërvitor, njoftoi sot Komanda Evropiane e SHBA-së (EUCOM).
Nuk dihet se sa persona ndodheshin në bord dhe fati i tyre nuk është zbardhur ende, raporton CNN.
“Në mbrëmjen e 10 nëntorit, një avion ushtarak amerikan që kryente operacione stërvitore në Mesdheun Lindor u përfshi në një aksident dhe u rrëzua. Ne mund të themi me siguri se fluturimi ishte vetëm për qëllime stërvitore dhe nuk ka asnjë tregues të aktivitetit armiqësor”, thuhet në deklaratën e EUCOM.
Nuk janë dhënë detaje për llojin e avionit dhe as për destinacionin e tij.