Ndër masat parandaluese apo kontrolleve paraprake për shmangien e përhapjes së Covid-19, ende mungon çadra e cila do duhej të ishte në oborret e karantinave apo cdo spitali ku paraqitet persona me simptoma të cilat kanë nevojë për analizim të stafit mjekësorë. Një çadër e tillë do të shmangte futjen e një personi i cili edhe pa e ditur mund të infektojë me COVID-19 mjekët apo të shtruar të tjerë në spitale.
Ndërsa Task Forca këmbëngul që i gjithë ky ekzaminim mund të bëhet vetëm duke telefonuar paraprakisht 127. Por masat mungojnë edhe tek realizimi i konferencave për shtyp në institucionet publike. Rast i freskët konferenca e zhvilluar sot nga Task Forca e cila kërkonte nga njëra anë mbajtjen e distancës së sigurisë ndërsa vetë ky ambient e pamundësonte një gjë të tillë për gazetarët dhe kameramanët.
Kreu i Urgjencës kombëtare interesit të Report TV iu përgjigj se "po, nuk duhet të bëhet në këtë mënyrë dhe nuk do të bëhet më". Masat deri më tani kanë munguar edhe në studio televizive me publik të cilat do duhet të marrin masa për të parandaluar praninë masive të publikut apo të ftuarve të shumtë në studio çka do të përbënte një rrezik. Ndërsa vetë kryeministri Edi Rama në mbledhjen e qeverisë u shpreh se dhe mbledhja që ai po zhvillonte ishte jo sipas rregullave të kërkuara nga organizata botërore e shëndetësisë.