‘Një çast drite dhe emocioni’, ‘akuareli’ i Enkeleida Priftit në 100 punë, piktorja: Frymëzimin e mora gjatë udhëtimeve të mia, në vende e portrete njerëzish

18 Qershor 2022, 12:34| Përditesimi: 18 Qershor 2022, 12:55

  • Share

Peizazhe, natyrë e qetë, kompozime, Enkeleida Prifti sjell në hapësirat e Muzeut Historik, teknikën e akuarelit mes 100 pikturash e një larmi subjektesh si “Një çast drite dhe emocioni”...

“Kryesisht frymëzimi ka qenë gjatë udhëtimeve të mia, vende që kam vizituar, njerëz me portrete interesante që kam takuar”, thotë piktorja Enkeleida Prifti

Janë punë të realizuara në dekada, një lloj romani i rrëfyer në akuarel që vijnë në kurimin e Zana Varvaricës, e ku piktorja dëshmon bukuri periferike mes vendesh, objektesh, pemësh a portretesh. Por, edhe magjinë e metropolit, e qyteteve të tjera, që arrijnë të përcjellin përpos teknikave të veçanta të artistes, edhe ndjesi tek publiku.

“Ajo është teknike shumë e  mirë në akuarelin e drejtpërdrejtë, pra të pasqyrimit të natyrës, të objektit apo edhe të portreteve. Dhe më pas ajo ka një lloj romantizmi brenda vetes, që e sheh objektin jo më të bukur se sa duhet, por e sheh objektin të bukur duke e kompozuar në telajon e saj. Cilësi tjetër është sinqeriteti i saj. Ngjyrat që përdor janë të kaltra, pra të pastra, dhe natyrisht ka një linjë ekzakte që ja sjell arkitektura që ka studiuar për pesë vite në Shën Petërsburg. Po ku ka studiuar për pesë vite edhe teknikën e akuarelit”, thotë studiuesja e artit e kuratorja Suzana Varvarica.

Mes punëve qëndron edhe Shën Petërsburgu në akuarel, ku ajo ka studiuar edhe teknikat që i ka përsosur ndër vite. Ndërsa profesioni si arkitekte e ndihmon pikturën e saj.

“Arkitektura ndihmon shumë, sidomos në vizatim. Ne jemi të fiksuar si arkitekt me perspektivën, këndin e vështrimit, saktësinë e volumeve, proporcionet etj. Kështu besoj se kjo është e pashmangshme, por sigurisht që hyn dhe pjesa e ndjenjës, ngjyrat, kombinimi. Rrjedha e bojës apo ujit mbi letrën e bardhë, e pastaj lojërat e akuarelit që japin një tjetër ndjesi, ndryshe nga skematizmi që ka vetë arkitektura”, shprehet Prifti.

Zbulon disa nga ‘sekretet’ që e bëjnë të veçantë teknikën e akuarelit në punët e saj.

“Akuareli është i qetë, transparent, shijohet nga afër, nuk e ka potencën e ngjyrave të vajit. Është më delikat , duhet të ruash zonën e bardhë që ka letra. Unë punoj pa të bardhën pasi dua ta ushtroj teknikën në të gjithë plotësinë e saj dhe të eksploroj disa teknika duke i përshtatur në varësi të subjektit”

Në mungesë të një mbështetje institucionale, ekspozita e Priftit qëndron vetëm 4 ditë e çelur në muze, ndonëse artistë e vizitorë kanë shumë për të eksploruar prej saj.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?