Në një kohë që nga nesër 33 mijë maturantë nisin provimet, psikologjia Renisa Beqiri duke folur për Report Tv jep disa këshilla se si nxënësit të shmangin ankthin dhe stresin gjatë kësaj periudhe.
“Siguirisht që jam e emocionuar dhe e frikësuar në një farë mënyre sepse është një provim vendimtar për të ardhmen time dhe të maturantëve të tjerë”, tha një maturante.
Të enjten, 33 mijë nxënës, i nënshtrohen provimit të parë të maturës shtetërore, asaj të gjuhës së huaj. Pavarësisht orientimet mbi pyetjet dhe përgatitjet i kanë nisur prej kohësh, ankthit dhe stresit, nuk i shmangen dot.
“Të themi që nuk jemi kemi emocione gënjejmë. Çdo kush ka emocione përpara një hapi të madh”, tregoi një tjetër.
Për psikologen, Renisa Beqiri, gjithçka ndodh nga frika e dështimit.
Beqiri në Report TV afron disa këshilla për maturantët me qëllim që ti kalojnë më lehtë shqetësimet dhe të arrijnë rezultate.
“Kur janë të preokupuar, harrojnë të hanë mirë, të flenë, të dalin shëtitje, të çlodhen. Kjo gjë i bën që të kenë ankth dhe të kenë stres të tepruar. Teknikat e frymëmarrjes duhet të përpiqen edhe gjatë kohës që mësojnë. Maturantët duhet të kujdesen shumë që mos ti lënë gjërat për në sekondë të fundit por të jenë sa më shumë sistematik”, tha psikologia, Renisa Beqiri.
Orët e fundit në klasën ku kanë kaluar tre vite, për Pamela Bacin, Eriona Meçi, e Gentiana Gjashin janë emocionuese. Do tu mungojë shoqëria, por duken entuziaste për të ardhmen
“E mërzitur në një farë mënyre sepse universiteti nuk do të jetë si gjimnazi”, tregoi një maturante.
“Taktika që kam përdorur është mbajtja e shënimeve, gjërave më kryesore”, tha një tjetër.
Angjela Prençi nxënëse ekselente e cila ndërkohë punon, direkt pas përfundimit të maturës do të largohet në Gjermani.
“Unë nuk mund të gënjej se do të studioj në Shqipëri. Do doja shumë të studioja në Shqipëri. Shpresoj të filloj inxhinieri-programimi, dua ti futem dhe botës së artit. Do doja të zgjidhja Shqipërinë, por nuk mundem sepse Shqipëria na cungon”, tha maturant, Angjela Prençi.
Provimet me 9 qershor nisin me gjuhën e huaj, duke vijuar me Gjuhë shqipe dhe Letërsinë me 11 qershor, matematikën 17 qershor, dhe 24 qershor lënda me zgjedhje. Testimi nis në orën 10 të mëngjesit dhe zgjat për 2 orë e 30 minuta.