Një ditë pas aksidentit të rëndë në Tiranë, Report Tv me pasagjerët e një urbani në kryeqytet! Qytetarët: S'jemi stepur! U frikësuam, por ishte aksidentale

28 Shkurt 2023, 11:43| Përditesimi: 28 Shkurt 2023, 11:58

  • Share

TIRANË - Një ditë pas aksidentit të frikshëm të autobusit të linjës së Unazës, Report Tv ka bërë një udhëtim me urban, ku qytetarët shprehen se u frikësuan por nuk stepen nga përdorimi i transportit publik për të shkuar në punë apo në zona të tjera të kryeqytetit.

Udhëtarët kanë folur për gazetaren Enxhi Musaj duke thënë se u shqetësuan nuk aksidenti i autobusit me 10 makina të tjera por besojnë se ishte aksidentale pasi u shkaktua nga një defekt teknik. Një grua tregoi se sa herë vjen nga Italia në Tiranë, zgjedh të udhëtojë me transport publik. 

“Sa herë që vij në Tiranë, e përdor gjithmonë shërbimin urban. Është një nga shërbimet më korrekte duke pasur parasysh që Tirana është një metropol europian. Mbrëmë kur zbritëm në Pisa, dëgjuam për këtë aksident të rëndë. Për të nxjerrë këto pasoja, duhen parë 3 pika të rëndësishme, përgjegjësia e atij që drejton mjetin, përgjiejgësia teknike dhe mekanike e automjetin dhe faktorëve të tjerë. Përballë humbjeve njerëzore, të gjitha këto lihen në plan të dytë por kur sheshohen, duhen parë.

Nuk jam stepur aspak. Nuk mund t’i përgjithësosh të gjitha linjat, problematikat e udhëtimet me një aksident, pork jo do të thotë që frikën e lë diku mënjanë dhe vazhdon shërbimin. Kemi besim në Tiranë dhe shërbimet që ofron”, tha një udhëtare.

Një e moshuar që lëviz shpesh me urban thotë se ngjarje të tilla ndodhin në të gjithë botën pasi mjetet e transportit sipas saj janë "hekura".

“U shqetësuam shumë. Do ketë qenë defekt teknik se askush nuk do të bëjë atë aksident. Udhëtoj shpesh, kam 4 mbesat këtu, jam tepër e kënaqur me shërbimin urban”, tha një e moshuar.

“Janë gjëra që ndodhin. Nuk ka faj as shoferi. Gjëra që ndodhin, nuk është hata e madhe. Shyqyr i ka ruajtur Zoti ata”, tha një tjetër qytetar.

Mesditën e djeshme, në mes të Tiranës, në një zonë të rënduar nga trafiku, një autobus i transportit publik i linjës së Unazës, është përplasur zinxhir me 10 automjete pranë “Urës së Tajvanit” duke lënë të plagosur 10 persona që ndodhen nën kujdesin e mjekëve fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Nga pamjet e siguruara nga Report Tv duket video e aksidentit.

Fati largoi edhe tragjedinë që mund të ndodhte tek stacioni i autobusit, por që për mrekulli nuk dëmtoi asnjë qytetar që mund të ketë qenë duke pritur.

Ora 13:22
VIDEO/ I iku për pak sekonda autobusi që mori para 10 makina në Tiranë, qytetarja: Nuk arrita në kohë në stacion! Isha me fat që shpëtova

 

Vetëm pak sekonda para aksidentit të shumëfishtë në mes të Tiranës, një grua po vraponte për të hipur në autobusin që mori para 10 makina por nuk arriti. Për Report Tv thotë se e ndjen veten me fat pasi nuk arriti dot të kapte urbanin.

“Po vija me hip në autobus dhe kaloi. Unë isha me fat që shpëtova se nuk hipa në autobus. Më iku pa ardhur në stacion. Kur e pashë thashë o Zot i madh. Ishin me fat ata njerëz. Po kthehesha nga puna dhe do të shkoja te ’21 dhjetori’. U ndjeva me fat”, tha gruaja.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?