Alfred Rushaj dhe Grida Duma

Një ditë pas Grida Dumës, Alfred Rushaj dorëzon në Kuvend kërkesën për lënien e mandatit

9 Nëntor 2022, 10:23| Përditesimi: 9 Nëntor 2022, 10:39

  • Share

TIRANË- Demokrati Alfred Rushaj ka dorëzuar sot kërkesën për lënien e mandatit të deputetit në Kuvend. Rushaj ka hequr dorë nga mandati i deputetit për arsye që lidhet me motive personale.

Alfred Rushaj, mbështetës i Lulzim Bashës, mbajti për disa muaj detyrën e kreut të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike deri në janar të këtij viti. Posti që la bosh, u mbajt në vijim nga Enkelejd Alibeaj. Mësohet se mandatin e tij i bie që ta marrë Petrit Doda që në zgjedhjet e 25 prillit ka marrë 5987 vota personale.

Rushaj e ka dorëzuar kërkesën për lënien e mandatit një ditë pasi e dorëzoi në Kuvend edhe Grida Duma. Në fjalën e saj, Duma tha se ka bërë gjithçka për bashkimin e partisë, si edhe që PD të vijojë të jetë një parti pro amerikane. Duma pritet t'i futet botës së televizionit dhe do të nisë një emision në Top Channel. Mandati i saj i kalon Ori Nebiajt, por nuk dihet nëse ajo do e pranojë pasi është e angazhuar në televizion. 

Alfred Rushaj një emër i njohur për demokratët, i cili ka mbajtur poste të rëndësishme në qeverinë Berisha, iu bashkua Lulzim Bashës gjatë zgjedhjeve të prillit 2021, dhe drejtoi fushatën elektorale, ndërsa ish-kryedemokrati e radhiti ndër të parë në listën e PD-së për Tiranën.

Rushaj ka shërbyer si Zëvendës Ministër i  Financave nga viti 2009 deri në vitin 2013 dhe si këshilltar juridik i Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë nga viti 2005 deri në vitin 2009.

Nga viti  1997 deri 2005 ka mbajtur disa pozicione menaxheriale dhe ekzekutive në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESh),  ka qenë Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të OSSH , Anëtar i Bordit të Drejtorëve të OST, Anëtar i Bordit të Drejtues për Agjencinë e Burimeve Natyrore, por ka mbajtur edhe pozicione të rëndësishme drejtuese në kompani të mëdha që operojnë në Shqipëri. Ai gjithashtu ka qenë pedagog i Drejtës Publike në Fakultetin e Drejtësisë nga viti  1999 deri në vitin 2004.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Emigranti: 09/11/2022 15:08

    Këta të pseudo-opozitës po imitojnë serbët e Kosovës apo çfarë? Gjithashtu edhe si Putini që akuzon ukrainasit për gjëra që bën vetë ai!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?