TIRANE- Çdo fillim viti me datë 6 janar qytetarët nisin me heqjen e zbukurimeve të vitit të ri. E njëjta gjë po ndodh dhe në sheshin “Skendërbej” aty ku ishte fokusuar e gjithë atmosfera festive e kryeqytetit, duke përmbyllur kështu dhe sezonin festiv.
E ndërsa është cilësur si “Fshati i Festave”, përgjatë muajit dhjetor, e deri ne ditët e para të janarit, frymës festive në sheshin “Skënderbej” i erdhi fundit. Sipas ritualit të përvitshëm, pema e vitit të ri dhe zbukurimet e krishtlindjeve duhet të hiqen më datë 6 janar, 12 ditë pas krishtlindjes.
Shumë prej qytetarëve e respektojnë këtë zakon, duke u mbështetur dhe në bestytni të ndryshme, ku sipas të cilave, mbajtja e pemës pas datës 6 janar sjell fat të keq. Ajo cka shihej sot në sheshin “Skënderbej” ishin puntorë që çmontonin lojrat dhe boshatisnin kioskat e të ashtuquajturit ‘Fshati i Festave”.
E duket se këtë vit, heqja e pemës nisi një ditë më herët, kjo prej stuhisë së erës që përfshiu kryeqytetin të dielën e 5 janarit, që solli dhe rënien e pemës dekorative të vitit të ri.
Ndonëse ishim mësuar që gjatë dhjetorit ta shihnim Tiranë të ndriçuar nga dritat vezulluese, tashme duhet t’i kthehemi përditshmërisë.