Një ditë pasi zjarrfikësit arritën të vendosnin nën kontroll zjarrin në Drenovë të Mallakastrës, vatra është aktivizuar sërish. Zjarri është aktivizuar në masivin pyjor të Drenovës.
Shërbimet zjarrfikëse kanë rinisur operacionin për shuarjen e flakëve. Por situata është e vështirë për shkak të terrenit malor që pamundëson ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse.
Zjarri në Drenovë pasditen e sotme është përhapur në një sipërfaqe të gjerë dhe flakët po afrohen pranë një nënstacioni elektrik. Shërbimet zjarrfikëse dhe mjetet janë përqëndruar pranë nënstacionit për të neutralizuar flakët që përhapen me shpejtësi të favorizuara nga era e fortë.
Forcat zjarrfikëse kanë operuar me mjete rrethanore për shkak të terrenit të vështirë i cili pamundëson ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Duke qënë se Drenova është zonë naftënxjerrëse, në territorin e saj ndodhen disa puse nafte dhe një nënstacion elektrik në funksion të tyre, të puseve, si dhe një magazinë.
Falë ndihmës së mjeteve zjarrfikëse dhe autobotëve të Albpetrolit, flakët janë vënë nën kontroll, ndërkohë që këto pika kritike do të monitorohen përgjatë gjithë natës nga grupet e gatshme, ndërsa në orët e para të mëngjesit aksionit për shuarjen e zjarrit do ti bashkohen edhe forca të ushtrisë, ndërsa është bërë kërkesë edhe për ndërhyrje nga ajri.
Lidhur me situatën Drejtori i Zjarrfikës në Mallakastër Hajri Malaj tha se era e fortë ka bërë të mundur aktivizimin e zjarrit, ndërsa theksoi se në operacion janë të përfshirë i gjithë ekipi shërbimit zjarrfikës.
'Situata mbas orës 13 ka qenë shumë e vështirë. Nga era e fortë dhe temperaturat e larta kanë bërë të mundur aktivizimin e zjarrit në disa vatra të mëdha.Terreni i vështirë nuk lejonte përdorimin e mjeteve zjarrfikse. Është punuar vetëm me pompa shpine dhe lopata. Në operacion janë të përfshirë i gjithë ekipi shërbimit zjarrfikës, Policia Bashkiake, emergjencat civile dhe punonjës të shërbimeve publike. Mjete zjarrfikës dy copë per shkak të pamundësisë së përdorimit. Vazhdon puna në terren edhe në këtë moment', tha ai.
Ndërkohë, në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, janë raportuar 12 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat janë shuar 8 dhe 4 janë aktive.
Një zjarr ka rënë sot në pyjet mes Vaut të Dejës dhe Pukës. Zjarri ka përfshirë masivin pyjor të Qafë- Qelës. Në këtë masiv pyjor janë shfaqur papritur disa vatra zjarri gjatë mesditës së sotme. Sipërfaqet e përfshira nga flakët janë shkurre.
Për vënien nën kontrollë të flakëve kanë shkuar zjarrfikës nga Puka dhe Vau i Dejës. Vatrat e zjarrit dyshohet të jenë ndezur qëllimisht.
Në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, deri në orën 19:20, janë raportuar 12 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 8 dhe 4 janë aktive.
Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:
Në fshatin Fushë Milot, njësia administrative Milot, bashkia Lezhë.
Në vendgrumbullimin e mbetjeve, Gërhot, njësia administrative Qytet, bashkia Gjirokastër.
Në fshatin Gëziq, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë.
Në fshatin Kallarat, njësia administrative Horë Vranisht, bashkia Himarë.
Në fshatin Borizane, njësia administrative Thumanë, bashkia Krujë.
Në fshatin Mesopotam, njësia administrative Mesopotam, bashkia Finiq.
Në fshatin Zenisht, njësia administrative Lis, bashkia Mat.
Në fshatin Kutal, njësia administrative Qendër Piskovë, bashkia Përmet.
Aktualisht, janë aktive vatrat në:
Qarku Dibër
Vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër, ku ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Në operacionin e shuarjes së zjarrit u angazhuan 30 forca operacionale, por terreni shkëmbor dhe era e fortë e ka vështirësuar punën e tyre. Në ndihmë të situatës erdhi edhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura. Si pasojë, deri tani është përshkuar një sipërfaqe rreth 200 ha me pyje pishe dhe ahu.
Vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, ku ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit i cili ishte riaktivizuar. Zjarri është aktiv në 2 vatra me zhvillim të ngadaltë, ku njëra zhvillohet në drejtim të fshatit Vlashaj dhe tjetra në drejtim të fshatit Krajkë. Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan 6 forca zjarrfikëse nga MZSH të bashkisë Bulqizë, 6 forca të shërbimit pyjor, 12 forca bashkiake dhe 8 forca vullnetare. Si pasojë, deri tani, është përshkuar një sipërfaqe rreth 30 ha me shkurre dhe barishte.
Qarku Shkodër
Vendin e quajtur “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, prej ditës së djeshme ka një vatër zjarri në një sipërfaqe me lis, dushk shkurre dhe barishte. Ne terren për shuarjen e zjarrit ndodhen 8 efektivë zjarrfikës dhe 5 forca nga shërbimi pyjor. Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Sipërfaqja e përfshirë nga zjarri deri tani, është rreth 12 ha.
Qarku Fier
Fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, ku ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, i cili ishte riaktivizuar në datë 14.07.2025. Në vendngjarje punuan shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Mallakastër me 2 automjete zjarrfikëse me 13 efektivë, 15 forca bashkiake, 3 forca policore dhe 5 forca vullnetare. Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 110 ha shkurre dhe pyll me pisha. Gjithashtu, janë djegur mbi 1000 rrënjë ullinj.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 21 automjete zjarrfikëse dhe 277 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së sotme mori pjesë edhe helikopteri Cougar nga Forcat e Armatosura.
Komente
