Një ditë sakrifice dhe krenarie e quajti kryeministri Edi Rama të mërkurën, për të gjithë forcat operacionale që luftuan me flakët.
Kreu i qeverisë, në këtë reagim të dytë brenda ditës së sotme për situatën e vatrave të zjarrit, bëri edhe një bilanc, ku theksoi se aktualisht ka 6 zona të ‘nxehta’ ku mbahet vëmendja, teksa të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë.
Rama bëri me dije me anë të një postimi në rrjetin social Facebook se janë 34 vatra aktive, 13 të shuara, 600 forca në terren, 5 helikopterë dhe 1 avion Canadair i ardhur nga Italia, ambulanca e staf mjekësor që punojnë në gatishmëri për çdo situatë.
“Vatra që kërkojnë vëmendje në vazhdim: Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës”, shprehet kreu i qeverisë për zonat më kritike nga zjarret.
Ai vlerësoi edhe ndihmën e partnerëve të huaj në këto operacione, me mjete fluturuese. Kryeministri e shoqëron postimin e tij edhe me një kolazh fotosh nga operacioni antizjarr në vend, nga ajri dhe toka.
Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
"Një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjitha strukturat shtetërore, që vijojnë pa ndërprerje përpjekjet në terren për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin.
Gjatë 24 orëve të fundit:
34 vatra aktive
13 të izoluara dhe të shuara
Në operacione janë angazhuar:
Dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe trupa të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në të gjitha bashkitë e prekura
Mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare
5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair i sjellë bujarisht nga miqtë e shtrenjtë italianë.
Qindra mjete, përfshirë autoambulanca dhe mjete transporti për evakuimin dhe mbështetjen e banorëve
Vatra që kërkojnë vëmendje në vazhdim: Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës.
Gatishmëria është maksimale dhe bashkëpunimi mes të gjitha strukturave shtetërore dhe mbështetja e partnerëve europianë dhe emiratas po vijon për të përballuar këtë situatë të vështirë".
Komente
