Një ‘doracak’ si 'Mbi shpirtëroren në art', Rama e shqiptoi në ’97-ën, Buzi riboton Kandinskin, Myrtezai: Tri emra që veçoj nga pasthënia e Ramës, ja ku u fsheh Kadare!

31 Maj 2022, 21:14| Përditesimi: 31 Maj 2022, 21:22

  • Share

Në sallën “Tonin Harapi”, shumë nga personalitetet që do të mund të diskutonin  “Mbi shpirtëroren në art dhe veçanërisht në pikturë” të ribotuar në shqip mungojnë...

“Mendoja që salla do të kishte një kompozicion tjetër, nuk do të ishte thjesht për një konsum të një natyre studentore, por do të kishte letrarë, do të kishte intelektualë, për të kuptuar atmosferën e atyre viteve”, thotë piktori e pedagogu Vladimir Myrtezai.

25 vite më vonë, nga tranzicioni i ashpër i ’97-ës, Irena Buzi sjell të ribotuar Kandinskin e përkthyer nga Edi Rama sipas edicionit frëngjisht “Du spirituel dans l’art, et dans la peinture en particulier” në vitin 1989. Kuratori Edison Çeraj, e kujton për atë kohë varfërie artistike librin e shqipëruar, si një dritare, veçanërisht për studentët e “Arteve”.

“Kandinski është një nga ata autorë, të cilët kanë bërë kthesa në artet pamore, por edhe më gjerë”, thotë piktori Edison Çeraj.

Bien dakord me artistin Vladimir Myrtezai, se me redaktimin e stilistikën e një skrupulozi si Ardian Klosi, të gjeje gabime në përmbajtje ishte gati e pamundur.  Shto këtu faktin që me Marsela Likajn, kanë bërë në atë kohë edhe krahasimin me botimin në gjermanisht. Në rrethana të tilla përmirësimet që i bëhen i takojnë  aspektit tipografik. Këmbënguljen që botimi i dytë t’i bënte jehonë të shkuarës Buzi e implementon që në imazhin e kopertinës. Nga mbulesa e Anri Salës, imazhi i kopertinës së botimit të ri i takon vitit 1938 me “Yjet” e Kandinskit.  Vendet e tabelave apo ilustrimet në bardhë e zi (10 grafikat) që shoqërojnë hyrjen e çdo pjese, janë një tjetër shenjë besnikërie e botimit origjinal.

“Ky lloj libri ka një lloj vlere të veçantë për mua, e quaj një botim tërësisht personal”, thotë Buzi, duke iu referuar edhe ndikimit tek ajo si ish studente e Akademisë së Arteve por edhe përkthyese në vepra si “Mbi pikturën” të Leon Battista Albertinit apo “Skulptura, parimet dhe praktika” të Louis Slobodkin.

Dhe po si në 1997 botimi mund të konceptohet në tri ndarje, parathënia e Klosit, subjekti i shqipëruar nga Edi Rama e pasthënia e tij, që përtej Kandinskit sjell atë që ai e konsideron një “mballomë kujtimesh”, me personazhet më të njohura të asaj e kohe. Myrtezai përmend krahas Ardian Klosin, “qiellorin”, siç e quan Rama Petro Zhejin, apo “fjalëbutin” Bashkim Shehu, që sipas tij dinte “të paketonte” lehtë me dije. Por ka edhe kritika.

“Kam pasur njëherë një takim me Kadarenë dhe më ka bërë përshtypje se si i anashkaloi kësaj pjese. Nuk do të thotë, se mund të jesh shkrimtar i madh, mund të jesh gjeni por nuk je në korrelacion me kohën nganjëherë. Domethënë, niveli i tij letrar, nuk është në të njëjtën rezonancë, mbi kulturën, mbi artet vizuale. Atëherë ku u fsheh?! U fsheh tek arti bizantin. Kurse këta ishin shumë më shpjegues për të kuptuar disa terma që në atë kohë ishin shumë të vështira dhe për vetë artistët”, thotë Myrtezai.

110 vite pasi Kandinski e shkroi “Mbi shpirtëroren në art”, siç do të parashikonte Klosi libri ruan të njëjtën freski edhe në shekullin e XXI, si një “doracak” i domosdoshëm , veçanërisht në pikturë. 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?