Investiguesja në serialin "The Residence" në Netflix

Opinion
Periferi

Një gazetar pa fakte nuk mund të shfaqë “superioritet etik dhe moral”

11 Prill, 10:23| Përditesimi: 11 Prill, 10:31

  • Share

Të kishim lexuar më shumë letërsi “të verdhë”, ndoshta do të na bënte më mirë si shoqëri, por duket qartë se në disa profesione, si ajo e gazetarëve, mangësia (për shkak të izolimit) e kësaj lloj letërsie, dallohet në logjikën dhe arsyetimin e të tërës dhe të detajeve në analizimin e ngjarjeve. Megjithatë, mund të rekuperojmë. Kemi kohë, nëse ka vullnet. Për shembull në Netflix, për të apasionuarit, është në transmetim një super serial “The Residence”, një histori tipike “e verdhë” që ndjek misterin e një vrasje/vetvrasje në Shtëpinë e Bardhë.

Seriali është brilant. Pak i ngadaltë. Duhet durim të ndiqet logjika e investigueses e cila nga një copë letër gjetur në xhepin e viktimës që presupozohet të jetë “vetëvrarë”, arrin të bashkojë të tërën, të ngjisë copëza e qëllime, dëshmi e arsyetime e të gjejë vrasësen e vërtetë.

Por nga fiction-i, le të kthehemi në realitetin tonë, ku po ndjekim analistë, gazetarë, të vetëvendosur në një pozitë superioriteti moral, etik, duke pasur në dispozicion, asgjë. Si të themi vetëm atë copëzën e letrës së shkëputur gjetur në xhepin e viktimës në “The Residencë” në Shtëpinë e Bardhë.

Në përgjithësi, shfaqja e një superioritetit moral dhe etik në publik mund të rrëshqasë lehtësisht në arrogancë dhe mungesë empatie, sidomos nëse shoqërohet me gjykime përçmuese ose me një qëndrim dënues. Edhe kur qëllimi është të mbrohen vlera të drejta (si drejtësia, transparenca, e vërteta), mënyra se si komunikohet është thelbësore.

Sa i përket gazetarëve dihet. Një gazetar i mirë duhet ë kërkojë të vërtetën, duke dokumentuar faktet me saktësi dhe ndershmëri. Duhet të ruajë një distancë emocionale, për të siguruar objektivitetin. Të mos sillet si gjykatës moral, por t’i japë publikut mjetet për të krijuar një opinion të vetin. Të tregojë respekt për njerëzit e përfshirë, edhe nëse janë të akuzuar ose në qendër të një skandali.

Kjo nuk do të thotë që ai/ajo duhet të jetë neutral në mënyrë sterile: një gazetar mund dhe duhet të mbajë qëndrim përballë padrejtësive të dukshme (si në gazetarinë hulumtuese), por pa një ton arrogance apo superioriteti. Autoriteti i vërtetë lind nga besueshmëria, nga puna e ndershme dhe nga respektimi i rregullave profesionale.

Të bësh moralistin në publik nuk është domosdoshmërisht një vlerë. Gazetari nuk është predikues: ai është ndërmjetës mes fakteve dhe opinionit publik;

Të jesh i përulur, por i qëndrueshëm në parimet e tua, është një formë force dhe jo dobësie. Sidomos kur faktet që ofrohen janë aq të mangëta dhe të diskutueshme saqë venë në diskutim punën e bërë si gazetar, pra si mbledhës dhe ofrues i tyre.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?