Një grua mes dy kulturave, Anilda Ibrahimi për negociatat: Mundësi bashkëpunimi mes forcave politike

27 Tetor 2019, 14:09| Përditesimi: 27 Tetor 2019, 14:39

  • Share

Për të raporti me gjuhën është një raport dashurie, që jep edhe merr vazhdimisht. Por historitë që ajo zgjedhë për të shkruar, edhe pse nuk vijnë në gjuhën e nënës, sepse faktori i identitetit të ri ka bërë që të shkruajë në gjuhën e vendit në të cilën jeton, në italisht, janë të ambientuara në Shqipëri. Kësaj here shkrimtarja e njohur Anilda Ibrahimi rikthehet për të rrëfyer para studenteve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë ëndrrat e saj në fillimin e viteve ’90, por edhe jetët shqiptare që kanë lënë gjurmë në adoleshencën e saj, aq sa ajo pas largimit në Itali vendosi t’i shkruajë në libra. Edhe për “ReportTV” Anilda Ibrahimi rrëfehet për identitetin e saj likuid, si një grua mes dy kulturave.

 “Atje ku spostohesh, spostohet edhe identiteti yt bashkë me ty. Është diçka likude, sepse kur unë jam në Itali jam Anilda shqiptare. Ndërsa, në Shqipëri nuk jam vetëm Anilda shqiptare, por jam dhe italiane. Është e vështirë që të japësh një përkufizim të qartë mbi identitetin. Unë jam të dyja gjërat. Këto ditë që jam në Shqipëri, ndihem e gjitha shqiptare. Kam nevojë për këtë! Është, edhe e mbushur me dhimbje ideja, që një pjesë që ke lënë këtu nuk të përket më. Është një ajër toksik, i rëndë që duket sikur depërton brenda teje, por unë kam nevojë për jetën time shqiptare. Edhe jam një grua e lirë, që kur unë dua të kthehem,kthehem edhe ndihem e lirë”, shprehet shkrimtarja e njohur Anilda Ibrahimi.

Ndonëse e ftuar në kuadër të Javës dhe Kulturës Italiane në Botë, Anilda Ibrahimi, rrëfen një episod mjaft prekës, që ka zhvilluar më të birin, i cili është vetëm 8 vjeç.

“Unë prekem sa herë e tregoj këtë episod. Djali më thotë: ‘Më thuaj sa më do?’ Edhe unë i them: ‘Ti voglio bene’ në italisht. Ai ma kërkon t’ja them në shqip. Kur unë ja them në shqip: ‘Të dua shumë’.  Ai më thotë: ‘Tani të besoj’. Edhe pas kësaj, më thotë: ‘Ç’fatkeqësi që unë nuk e flas gjuhën tënde, sepse nëse do ta kisha thënë në shqip, edhe ti do të më kishe besuar më shumë’. Në këtë moment vërtet kam qarë. Pasi një fëmijë që është vetëm tetë vjeç arrin që të kuptojë forcën e gjuhës nënë, ndarjen në ato kthesa të shpirtit, që është pa filtra. Thënia në gjuhën e nënës mbetet e papërkthyeshme, edhe patransmetueshme në një gjuhë tjetër, sepse gjatë përkthimit humbet diçka rrugës, nuk është më autentike. Një fëmijë kaq i vogël, mua më çuditi edhe më bëri që të ripunoj librin që kisha në duar, ku do t’i dedikoj disa kapituj gjuhës nënë, asaj zgjon në shpirtin e një fëmije, por të një nëne që ka shkruar në një gjuhë tjetër, por edhe që jeton në një gjuhë tjetër. Fëmijët janë edhe goja e së vërtetës, sepse me pafajësinë e tyre të shpjegojnë se janë gjëra, që nuk mund të përkthehen edhe janë të besueshme vetëm në momentin, që lindin edhe vdesin në atë gjuhë”, thotë Ibrahimi.

Në librat e saj Ibrahimi ka trajtuar jetën e grave shqiptare, identitetin edhe emigrimin, tema këto prej të cilave nuk ka hequr dorë, duke i bërë pjesë edhe të romanin, që po shkruan së fundmi. 

“Po shkruaj një libër që del në fillim të vitit të ardhshëm. Është një libër shumë i vuajtur për mua, sepse i dedikohet gjeneratës sime. Unë jam një grua që kam kaluar adoleshencën në vitet ’80. Kanë qenë vite që ne kishim modele femërore të ndryshme nga njëra-tjetra, nga një anë ne kishim gruan e re të revolucionit, gruan mbi traktor. Nga ana tjetër unë kisha heroinat e mia të ‘800-s, si Ana Karenina, Ema Bovari edhe modelin e nënave tona, të grave, që na përgatisin për të qenë nëna të mira dhe gra burrash të mira, t’u shërbenin burrave. Në libër sjell një personazh, që pas moshës 40-vjeçare gjendet në një tokë tjetër, siç është Italia, si në rastin tim. Tregoj se si e gjeti identitetin e vet kjo grua, duke mbijetuar mbi këto tre modele kaq të ndryshme njëra nga tjetra. Mendoj se është një libër që tregon historinë e një gjenerate, të asaj plejade grash që kanë jetuar atë kohë njësoj si unë”, vijon shkrimtarja.

Shkrimtarja ndalet edhe tek Jo-ja që mori Shqipëria nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave.  

“E shoh me keqardhje, sepse Shqipëria është në Europë. Më duket një mbyllje, por mendoj se Shqipëria është në rrugën e drejtë, edhe pse ka shumë për të bërë sikundër kanë bërë të gjitha vendet, që kanë bërë një rrugë të vështirë si vendi ynë. Mendoj vetëm që kjo: JO, të jetë edhe një thirrje për forcat politike që të ndihen pjesë e të njëjtës betejë, që të punojnë për të realizuar këtë hyrje në BE. Mendoj se kjo: Jo, mund të krijojë një bashkim. E them këtë duke iu referuar edhe situatës që ka kaluar vendi ynë gjatë këtij viti. Prandaj, mendoj se kjo mund të jetë një: Jo, për të bashkuar forcat politike dhe për të pasur një objektiv të përbashkët”, thotë Anilda Ibrahimi.

Edhe pse shkrimtarja nuk ka të dëshirë që të jetë model apo të jep mesazhe, ajo mendon se të rinjtë duhet që të jetë të lirë në zgjedhjet që bëjnë.  

“Unë nuk dua që të jem model për askënd. Edhe pse të rrëfesh jetën bëhesh edhe politik. I vetmi model që u them të rinjve të ndjekin është: të ndjekin dëshirat e tyre dhe të ndihen të lirë. Fëmijët tanë janë të mbushur tmerrësisht me shumë modele në televizion. Ëndrra ime ishte që të rrëfeja histori dhe këtë e arrita. Por mendoj se nuk ka rëndësi se çfarë ke dëshirë që të bëhesh apo bën, por ka rëndësi që të jesh i lumtur në atë që bën. Vetëm kur bën atë që do me dashuri, pasion edhe me liri të plotë mund të jesh i lumtur” përfundon shkrimtarja.

Shkrimtarja Anilda Ibrahimi ka shkruar katër romane në italisht, si “E kuqe si nusja” i vlerësuar me çmime, si “Edoardo Kihlgren”, “Corrado Alvaro”, “Giuseppe Antonio Arena” etj. Më pas ka botuar “Dashuria dhe rreckat e kohës”, “Nuk është ëmbëlsi” edhe “Emri yt është një premtim”.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?