Grida Duma dhe Jordia Tabaku

Një grua përballë Edi Ramës!

22 Mars 2022, 14:21| Përditesimi: 22 Mars 2022, 14:22

  • Share

Partia Demokratike pas dorëheqjes taktike të Lulzim Bashës do të kërkojë një lidership të ri, detyra e parë e të cilit, për ringritjen e mundshme, do të jetë bashkimi i opozitarizmit.

Por pamundësia për bashkim do të krijojë fillimisht një parti dhe më pas një opozitë të re, e cila do të ngrihet mbi një frymë krejtësisht tjetër, që nuk do të ketë asnjë lidhje me të kaluarën e PD-së. Ndoshta për të shmangur konfliktet dhe çdo keqkuptim me të kaluarën do të sakrifikohet edhe logo-ja me selinë aktuale. Opozita e re që u përpoq gjatë këtyre muajve të ringrinte Basha, edhe pse me shumë vonesë, në vend që të konkuronte qeverinë nisi të rivalizohej më ashpër nga vetë e kaluara e vjetër e saj.

Në këto kushte ndonëse kishte përkrahje ndërkombëtare, Basha u tërhoq, duke i hapur rrugë projektit për një opozitë të re para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. E veçanta e saj është se mund t’i afrojë Shqipërisë për herë të parë në histori një grua kandidate, për postin e kryeministrit.

Lulzim Basha ka kohë që lakohet si emri më i mundshëm për të marrë postin e presidentit. Basha, bëhet apo nuk bëhet president, dorëheqjen e dha për të çliruar veten dhe mbështetësit e tij nga akuzat se postet e larta që mbanin dhe votat që merrnin i kishin ‘dhuratë’ nga e kaluara aspak demokratike.

PD e ngritur sipas modelit të “njëshit” me frymën e saj të vjetër sado rinovime të bëjë nuk mund të kthehet kurrë më në pushtet. Si pasojë e këtij modeli shpjegohen ambicjet e shfenuara të shumë prej funksionarëve të saj për poste të larta me ardhjen e Bashës në drejtim të PD-së. Për shkak të këtij modeli, PD mund të rikthejë ndonjërin, por do ta ketë thuajse të pamundur që të bashkojë gardën e vjetër nën një autoritet të fortë, qoftë edhe nëse kryetar i saj do të rikthehet Berisha.

Do të jetë i pamundur rikthimi i Jozefina Topallit, Ridvan Bodes, Bamir Topit, Majlinda Bregut, Genc Rulit etj, sikurse bshkimi i disa prej deputetëve kritikë ndaj udhëheqjes 30-vjeçare të saj të cilët nuk kanë mbajtur portofole ministrore si i Astrit Patozit, Mark Markut, Myslim Murrizit, Rudina Hajdarit e me radhë. Pa Berishën në PD thuajse të gjithë duan që të bëhen kryetarë.

Po ashtu PD, nuk do të duket më e madhe se çka qenë pa përfshirjen e kandidatëve që humbën garën përballë Bashës në zgjedhjet e fundit siç janë Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj dhe Edith Harxhi si dhe pa afrimin e disa prej intelektualëve, të cilët u lanë padrejtësisht në harresë ose në hije, gjatë viteve të qeverisjes së djathtë. Pra rikthimi dhe bashkimi i të gjithë atyre që kanë qenë në PD, duke përjashtuar alternativën e Bashës, do të mbetet si një mision thuajse i pamundur.

Nuk ka asnjë shans që t’i bashkohet të kaluarës së saj alternativa e re, pasi ajo do të mbetet jashtë strukturave drejtuese. Deputetët që votuan në përjashtimin e Berishës nga PD e dinë mirë se në rast bashkimi mund të pranohen nga kryesia e re si votues të thjeshtë.

Partia e re opozitare do të krijohet fillimisht nga ata që mbështetën Lulzim Bashën në zgjedhjet e fundit dhe të tjerë të rinj që do të afrohen. Është projektuar me mbështjen ndërkombëtare që të jetë pikërisht ajo opozita e ardhshme e vendit. Drejtimi i saj do t’i takojë njërit prej numrave dy të partisë, i cili do të diskutohet mes Jorida Tabakut dhe Enkelejd Alibeajt. Duke qenë se pjesa më e madhe e mbetur nën drejtimin e ri të PD-së dhe sidoemos faktori ndërkombëtar që është më në favor të Jorida Tabakut, kjo ka bërë që të ‘shpërthejë’ ndaj Lulzim Bashës para dorëheqjes së tij një tjetër numër dy me ambicje të mëdha në PD, Grida Duma. Ka edhe ndonjë tjetër që kritikonte Bashën dhe kërkonte largimin e tij nga e njëjta xhelozi që ka shfaqur hapur Grida Duma ndaj Jorida Tabakut.

Gjithsesi, gabohen rëndë ata që mendojnë se Jorida Tabaku nuk gëzon aktualisht reputacion të mjaftueshën brenda elektoratit të PD-së dhe prandaj e shohin momentalisht disi me skepticizëm të ardhmen e saj në një rol më të rëndësishëm në politikë.

Edhe pse nuk ka pasur asnjë faj dhe përgjegjësi, për përçarjen dhe gjendjen e opozitës aktuale, ajo është sulmuar nga e kaluara e PD-së për shkak të frymës së gabuar me të cilën ka funksionuar deri tani kjo parti.

Demokratët nuk duhet ta shohin kryetarin dhe kryesinë e re si një shans për t’i rikthyer sa më shpejt dhe me çdo mjet në pushtet, me qëllim që ata (që pretendojnë se kanë kontribute) të ndajnë privilegjet dhe të shtojnë pasuri të pamerituara, si dikur. Duhet të kishin kuptuar para se të shpresonin rikthimin e tyre në shumicë qeverisëse se kjo ishte arsyeja që elektorati i rrëzoi për herë të dytë nga pushteti dhe me një frymë të tillë do të mbeteshin nën mëshirën e kundërshtarit të tyre politik, siç kanë mbetur, për të mos thënë se janë edhe më tepër se më parë përballë rrezikut të shkrirjes.

Me qasjen e deritanishme ata duhet të kishin kuptuar me kohë se janë dhe do të mbeten gjithnjë e më të reduktuar në numër krahasuar me kundërshtarin, pavarësisht modelit qeverisës që ai afron. Kur bojkotuan zgjedhjet lokale pretenduan se kishin 85 për qind të elektoratit që nuk doli në votime. Por kur u futën në zgjedhjet e pjesshme lokale ‘festuan’ të përçarë fitoren 5-1 të PS-së. Dy opozitat e bashkuara që morën vendin e dytë u gëzuan thjesht për vendin e tretë që zuri Lulzim Basha, ndonëse gati e njëjta përqindje sërish nuk doli në votime.

Kështu që shansi i vetëm që opozita të tërheqë elektoratin gri dhe të shpresojë se mund të bëhet shumicë qeverisëse në të ardhmen nuk është bashkimi i saj (i pamundur) por ndarja radikale me të shkuarën dhe ringritja nga e para përmes një modeli tërësisht të ri.

Këtë model dhe alternativë të re, nëse e refuzon e kaluara e tkurrur e PD-së, e përqafon me siguri një elektorat më i gjerë, i zhgënjyer, siç iu paraqit publikut ai i protestave të studentëve dy-tre vite më parë dhe më i fundit, ai i këtyre ditëve nga qytetarët për rritjen abuzive të çmimeve. Kur modeli i vjetër opozitar u përpoq që t’iu merrte ‘timonin’ protestave, ato u shuan menjëherë çka provon ‘alergjinë’ që i shkakton një i tillë elektoratit të gjerë, vendimtar në çdo palë zgjedhje.

Lulzim Basha në fakt e afroi alternativën e re pas tri humbjeve radhazi. Por e kuptoi vonë se nuk mund ta udhëhiqte dot më tej, aq më pak që ta ngrinte atë mbi një model të vjetër ndërsa ai vetë duhet pranuar se ishte promovuar prej të njëjtit model çka e bënte skeptik elektoratin gri që t’i besonte votën.

Si krahasim edhe PD-ja afroi një model të ri në ’91 por i humbi thellë zgjedhjet e para pluraliste përballë partisë së regjimit komunist. Vetëm kur u braktis nga perëndimi dhe pa që populli po kërcënohej nga uria, partia e Ramiz Alisë u dorëzua, duke i krijuar terren PD-së që të ngjitej vetëm pas një viti në pushtet, dhe më kryesorja, i hapi rrrugë transformimit rrënjësor brenda radhëve të saj, për t’u ndarë përfundimisht nga e kaluara e dhimbshme komuniste si një nevojë që e kërkonte koha dhe ia impononte Perëndimi. Kujtojmë që në fillimet e demokracisë Partia e Punës votat i kishte për të qeverisur të paktën deri në vitin 1995.

Ringritja e opozitës nga themelet sikurse ndodhi me PS-në në fillimet e saj kërkon në fakt më tepër sesa thjesht një emër të ri për t’u zgjedhur kryetar. Kërkon frymë. Kërkon që ajo të jetë sa më bindëse dhe të tregojë se përse duhet votuar. Ringritja e saj e vërtetë kërkon një parti tjetër, me një tjetër qasje ndaj elektoratit të djathtë, i demoralizuar përballë situatës kaotike ku është zhytur prej kohësh opozita.

Edhe kryeministri Edi Rama vendosi të ‘dorëhiqet’ nga koha e shpenzuar duke sqaruar ndjekësit e tij ‘problematikë’ në rrjetet sociale, vendim të cilin rastësisht e mori në të njëjtën ditë me dorëheqjen e Bashës. Rama votohet sa herë që del në zgjedhje kështu që pse atij i duhet të lodhet dhe të sqarojë kritikët, në një kohë kur nuk ende di se cilin kundërshtar ka në fushë. Por nuk përjashtohet mundësia që Rama dhe Basha ndonjë ditë, kur të puqen kushtet, të rikthehen sërish në ‘fushë’.

Një grua në drejtimin opozitar do të zbuste atmosferën politike konfliktuale 30-vjeçare.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?