Edmond Leskaj dhe Gazmend Brakaj (Gaxhai)

Një grua zbuloi në qeli telefonin që mbante në burg ish- ushtari i “Gaxhait”

24 Nëntor 2020, 13:12| Përditesimi: 24 Nëntor 2020, 13:17

  • Share

Zbulimi i telefonit në qelinë e Edmond Leskaj është arritur të bëhet nëpërmjet një gruaje. Edmond Leskaj, i dënuari me 25 vite burgim si ish-anëtar i bandës së “Gaxhait” në Vlorë, është zbuluar se komunikonte me një vajzë me inicialet E.Gj, e cila kohët e fundit kishte shfaqur shqetësime, duke mos pranuar të bisedonte më me të dënuarin Edmond Leskaj.

E ndier e bezdisur nga Leskaj, E.Gj, ka vendosur ta denoncojë këtë person në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Burgjeve, duke treguar se ishte një vajzë që shqetësohej nga një i dënuar në burgun e sigurisë së lartë Peqin. E.Gj, u ka thënë se i dënuari që e shqetësonte quhet Edmond, por nuk ka dhënë mbiemër, por vetëm i ka lënë sallës operative numrin e telefonit që e shqetësonte herë pas here. Më pas, policia e burgjeve ka kryer verifikime, duke konstatuar se në ambientet e burgut të sigurisë së lartë ishin dy të dënuar me emrin “Edmond” dhe më konkretisht Edmond Bedolli dhe Edmond Leskaj.

Menjëherë është kryer një kontroll blic në qelitë ku vuajnë dënimin dy personat e mësipërm, ku në dhomën ku qëndron Edmond Leskaj, policia ka sekuestruar një telefon “Samsung”. Aparati i telefonit, i është dorëzuar nga Leskaj policisë, pasi ky i fundit ka kuptuar se për çfarë kishin mbërritur në dhomën e tij policët. Ndërkohë nga verifikimet e kryera ka rezultuar se numri celular që përdorte Edmond Leskaj, i përkiste një personi nga qyteti i Elbasanit. Për futjen dhe mbajtjen e telefonit në burg, Edmond Leskaj tashmë është marrë i pandehur dhe pritet që në ditët në vijim të përballet në gjykatë edhe për akuzën e mbajtjes së telefonit në qeli, duke rrezikuar një dënim që varion nga 1 deri në 3 vjet heqje lirie

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?