Moment nga vizita e gjyqtarëve shqiptarë të GJKKO në SHBA

Një grup me 14 gjyqtarë të dy shkallëve të GJKKO vizitë në SHBA: Ju mbështesim të vendosni në mënyrë të pavarur dhe me fakte, pavarësisht kërcënimeve!

25 Shtator, 10:57| Përditesimi: 25 Shtator, 11:08

  • Share

SHBA- Shtatë gjyqtarë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe shtatë nga Gjykata e Posaçme e Apelit, po vizitojnë këtë javë Shtetet e Bashkuara në një udhëtim të udhëhequr nga Zyra Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) dhe financuar nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL).

Qëllimi i vizitës është për të shkëmbyer ide me gjyqtarë dhe prokurorë mbi tema kyçe, përfshirë pavarësinë, integritetin dhe efikasitetin gjyqësor.

Delegacioni filloi vizitën në Denver, Kolorado të hënën (23 Shtator), ku u takua me dymbëdhjetë gjyqtarë amerikanë të themelit dhe të apelit dhe vëzhguan procedurat gjyqësore.

“Gjyqtarët amerikanë shprehën admirimin dhe mbështetjen e tyre për punën jetike të gjyqtarëve të Gjykatës Speciale, duke theksuar rëndësinë e vendosjes së çështjeve në mënyrë të pavarur, pa ndikim të jashtëm dhe këmbëngulje, pavarësisht kritikave dhe kërcënimeve”, thuhet në njoftimin zyrtar të lëshuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë, për këtë rast.

Kjo vizitë vjen pas udhëtimit në korrik në Shqipëri të tre të ftuarve të rëndësishëm amerikanë: Kryetari i Gjykatës së Rrethit Robert J. Shelby, gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Utah, Paige Petersen dhe Prokurorja e SHBA Trina Higgins.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme dhe për t'i nxitur ata të vendosin në mënyrë të pavarur, bazuar vetëm në ligj dhe fakte”, theksohet në njoftimin e Ambasadës.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?