Ish ambasadori Manuel Rocha/Foto e lëshuar nga Departamenti i Shtetit përmes AP

Një ish diplomat amerikan akuzohet se për dy dekada ka punuar si agjent i Kubës

4 Dhjetor 2023, 22:26| Përditesimi: 4 Dhjetor 2023, 22:29

  • Share

Ndaj një ish diplomati amerikan, i cili ka shërbyer në postin e ambasadorit në Bolivi, janë ngritur akuza për bashkëpunim me shërbimet e zbulimit të Kubës për shumë dekada, tha të hënën Departamenti i Drejtësisë.

Në dokumentet e publikuara së fundmi pretendohet se Manuel Rocha është angazhuar në “aktivitete të fshehta” në shërbim të Kubës, të paktën që nga viti 1981, përfshirë takime me agjentë të shërbimeve të zbulimit të Kubës, duke u dhënë zyrtarëve të qeverisë amerikane informacione të rreme mbi udhëtimet dhe kontaktet e tij me shtetas të huaj.

Në dokumentet e dorëzuara në një gjykatë federale në Majami thuhet se zoti Rocha akuzohet për vepra kriminale, përfshirë angazhimin si agjent i paligjshëm i një qeverie të huaj dhe ofron një rast të qartë studimi mbi, siç thonë zyrtarët amerikanë, përpjekjet e avancuara të shërbimeve të zbulimit nga Kuba për të rekrutuar zyrtarë të qeverisë amerikane.

73-vjeçari Rocha, i cili u arrestua në shtëpinë e tij në Majami të premten, do të paraqitet në gjykatë të hënën dhe ende nuk është e qartë nëse ai ka një avokat mbrojtës.

Në karrierën e tij 20 vjeçare si diplomat amerikan, ai ka mbajtur poste të rëndësishme në vendet si Bolivia, Argjentina dhe si zyrtar i lartë për çështje që lidhen me interesat amerikane në Havanë deri në mes të viteve 1990. Departamenti i Drejtësisë nuk njoftoi menjëherë se si zoti Rocha tërhoqi vëmendjen e anëtarëve të shërbimit kuban të zbulimit dhe për llojin e informacionit që u ka dhënë atyre gjatë kohës kur ai punonte për qeverinë amerikane.

Akuza thotë se ish diplomati Rocha kishte lidhje të paligjshme me qeverinë e Kubës që nga viti 1981, ku ai filloi punën në Departamentin e Shtetit, që kishin vazhduar edhe pas largimit të tij nga qeveria federale, kur ai punonte si këshilltar për marrëdhëniet me publikun në sektorin privat, duke marrë paga të larta.

FBI-ja mësoi rreth marrëdhënieve të tij me shërbimet e zbulimit nga Kuba vitin e kaluar dhe kreu një operacion në Majami, duke organizuar takime mes zotit Rocha dhe një personi që pretendonte se ishte agjent i shërbimeve të zbulimit të Kubës.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, gjatë njërit prej këtyre takimeve, zoti Rocha tha se ishte urdhëruar nga shërbimet e inteligjencës nga Kuba që të “bënte një jetë normale” dhe kishte krijuar imazhin e një “personi me pikëpamje djathtiste”.

I lindur në Kolumbi, ish diplomati Rocha u rrit në një familje të shtresës së varfër në qytetin e Nju Jorkut. Ai ka mbaruar studimet në Universitetin e Harvardit, Yale dhe Georgetown përpara se të fillonte punën në Departamentin e Shtetit në 1981.

Përveç Argjentinës dhe Bolivisë, ai ka punuar si diplomat edhe në Itali, Honduras, Meksikë dhe në Republikën Domenikane. Zoti Rocha ka shërbyer edhe në rolin e ekspertit për çështjet e Amerikës Latine në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Pas largimit nga Departamenti i Shtetit, ish diplomati Rocha filloi një karrierë të dytë në fushën e biznesit, duke shërbyer si president i kompanisë së nxjerrjes së arit në Republikën Domenikane, e cila pjesërisht është në pronësi të kompanisë nga Kanadaja, “Barrick Gold”.

John Feeley, i cili e përfundoi karrierën e tij të gjatë diplomatike në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Panama, tha se ai ndjente “keqardhje dhe ishte i tronditur që ish këshilltari dhe kolegu i tij ka punuar si agjent i Kubës”.

Ish diplomati Feeley, i cili u largua nga Departamenti i Shtetit për shkak të dallimeve të tij me administratën e Presidentit Donald Trump, tha se herën e fundit që ai është takuar me zotin Rocha ishte befasuar se si një diplomat që kishte punuar në administratat demokrate dhe republikane e kishte përqafuar plotësisht llojin e politikës së zotit Trump./ VOA

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?