Një jetë kushtuar sportit si gazetar, Dëfrim Methasani në ‘Esencë’: E nisa si futbollist, kuptova shpejt që talentin s'e kisha tek këmbët po te fjala

13 Janar 2023, 19:11| Përditesimi: 13 Janar 2023, 19:16

  • Share

Një jetë e  kaluar me sportin, jo në fushë por në ekran. Një prej figurave më të dashura që vjen prej futbollit, gazetari sportiv Dëfrim Methasani erdhi në “Esencë” në një rrëfim për jetën dhe karrierën. Mes fotosh ai kujtoi etapa domethënëse  të jetës së tij, që prej fëmijërisë, gjimnazit e më vonë rrugës që do të merrte jeta e tij profesionale.

Gazetari kujtoi fillesat që e kanë lidhur me futbollin, fillimisht si lojtar i të rinjve të “Korabit” e më pas si një njeri që lidhjen e tij me këtë sport e pati nëpërmjet kamerës.

“E kuptova që talenti im për futbollin, nuk ishte tek këmbët po tek fjala”-thotë ai gjatë bisedës teksa kujton ato kohë.

Depërtimi në gazetari ishte nga kronika e tij e parë sportive në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar në 1992-shin, që i hapi udhën më pas për të qenë një prej emrave më të lakuar mes gazetarëve sportivë. Por kthimi pas, e çoi në kohët kur ai menjëherë pasi përfundoi studimet e mesme, u emërua mësues në vendlindjen e tij, në Peshkopi. Një periudhë që e kujton me nostalgji dhe përtej sfidave e vështirësive si një prej eksperiencave të vyera në jetë.

I rritur në një familje dibrane me parime të forta e moral  ai thotë se ndershmëria dhe vlerat njerëzore janë tiparet që ka trashëguar nga prindërit e tij. Ai thotë se ruan marrëdhënie të forta me familjen, me atë ku ka lindur dhe me atë që ka krijuar, veçanërisht me prindërit e tij. Ende janë pjesë e ritualeve të tyre takimet dhe koha që ai kalon me prindërit, si një mënyrë për t’i pasur afër ata përtej angazhimeve të përditshme.

Dy prindërit, vajzat  dhe nipi  surprizuan Dëfrimin i cili si bir, baba dhe gjysh mori emocione të forta  prej tre statusesh të ndryshme në jetë.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?