Agron Selimi është i vetmi që ndërthur punimin e instrumentit popullor me interpretimin. Tashmë në pension e kalon kohën në një qoshe të qytetit duke punuar në mënyrë artizanale cyle e dyjare...
75-vjeçari nga Tepelena është një personazh i dashur për vendasit pasi prej 45 vitesh ka marrë pjesë në grupin polifonik të Bënçës.
“Kam qenë në Festivalin e Gjirokastrës. Kam qenë në skenë se grupi i Bënçes bënte lidhjen e të gjithë festivalit aty me këngë dhe valle”- tha ai.
Veglat e punës për të janë daltat, zdrukthi, sqepari, apo dhe teknikë motorrike për përsosmërinë e instrumenteve. Na tregon se brenda katër ditëve, drurin e panjës apo të piksit, e kthen në dyjare, një instrument tipik për zonën e Labërisë.
‘Këto dyjare që bëj unë bëhen me 4-5 lloje drurësh . I pari është druri piks, është dru i qeshur në vetvete që jep tingëllim. Pastaj është duri i panjës. Edhe dëllënja e arra është e mirë”’- shpjegoi Selimi.
Cylet, dyjaret, apo instrumente të tjera prodhohen me një cilësi absolute, e më pas, zbukurohen me motive popullore përmes daltës së mjeshtrit.
”Nga anët tona sekush e ka në qark cylen dyjare. Ajo është instrumenti më i kënqshëm. Është dhe fyeli i gjytë, por shpesh cylja dyjare është e shkurtër. E merr me vete dhe nuk të rëndon shumë si instrument cylja dyjare.”- tha 75-vjeçari.
E rëndësishme është që Agron Selimi, asnjëherë nuk ua shet qytetarëve instrumentet pa i akorduar, pasi siç thotë ai, akordimi është procesi që e bën të këndueshëm instrumentin.
“E tëra është artizanale sepse kjo nga një dru i trashë kërcu, do përpunuar të gjitha deri sa arrin që të futësh melodi, zbukurime. Nuk është kollaj që të bësh sulën dyjare.”- nënvizoi ai.
Zona e Labërisë, ka pasur një traditë të hershme të instrumentistëve popullore, shumica barinj që luanin melodi baritore teksa kullosin bagëtitë. Sot Agron Selimi, ndoshta mund të jetë i vetmi që ka mbetur në Tepelenë dhe që ruan me fanatizëm punimet e drurit siç është kjo faqe muri për të cilën thotë ai, e pati punuar 40 vite më parë.
“E kam punuar komplet me dorë, pa makineri pa gjë”- tha ai.
Meraku i tij është mungesa e trashëgimisë së zanatit, pasi sot të rinjtë marrin udhët e mërgimit.