Po ndodh një keqkuptim i madh me lajmet e mira dhe lajmet e këqija që duhen transmetuar apo jo në një media. Së fundmi, por jo për herë të parë, edhe nga gazetarë me eksperiencë, po hidhen teza se “lajmet e këqija nxijnë realitetin në Shqipëri”. Është një lojë e rrezikshme me lirinë dhe demokracinë që herë pas herë shfaqet në anët tona.
Jemi përballur në fillim të viteve ’90, ku pushtetarë të kohës nuk gëlltisnin të ashtuquajturat “lajme të këqija”. Dhe “lajmet e këqija” janë ato që tregojnë të keqen në një shoqëri: vrasjet në familje, shpërthimet me tritol, kriminaliteti, korrupsioni, grabitjet, dhunimet e përdhunimet. Pushtetet dëshirojnë t’i fusin gjithnjë nën rrogoz lajme të tilla, sepse nuk shkojnë për shtat me propagandën që i shkëput përherë e më shumë nga realiteti që na rrethon.
Mediat më të mëdha dhe më moderne në botë, duke nisur nga fqinja Corriere della Sera, The Guardian, CNN dhe BBC, prej vitesh tashmë kanë rubrika të dedikuara për shembuj dhe lajme të mira nga tirizmi, biznesi, artizanatet, moda, arkitektura etj. Corriere della Sera ka një suplement të përjavshëm dedikuar pikërisht shembujve të mirë në biznes, në shoqërinë civile, në teknologji, në mjedis etj. por askujt prej këtyre institucioneve gjigande të medias botërore nuk u ka shkuar ndonjëherë në mendje të bëhen promotorë të fshehjes së “lajmeve të këqija”.
Vendosja e rubrikave me shembuj dhe lajme të mira, është një mision i medias moderne për të harmonizuar produktin lajm, për ta plotësuar e për ta përshtatur ashtu siç është vetë jeta: mbushur me lajme të mira dhe të këqija. Por ama fshehja e ngjarjeve, e plagëve të një shoqërie nga gazetarët nuk bën gjë tjetër veçse na kthen në ëndrrat dhe dëshirat e diktaturave. Nuk janë lajmet e këqija që prishin imazhin e një vendi, por është reagimi i duhur ose jo i shoqërisë ndaj tyre, dënimi dhe sidomos drejtësia që ndryshojnë perspektivën dhe dëshmojnë në dritë të diellit se sa i qytetëruar, i pjekur dhe i drejtë është bërë ai vend dhe ai realitet.
Ndoshta më shumë se lajmet e këqija, gazetarët në radhë të parë, por edhe të gjithë së bashku, duhet të na shqetësojnë lajmet e pavërteta, të deformuara dhe të manipuluara me dy qëllime: ose për të nxirë realitetin, ose për ta zbukuruar atë, ndryshe nga sa është në të vërtetë. Kjo është ajo që duhet të na udhëheqë të gjithëve në punën tonë gazetarë, politikanë, shoqëri civile dhe njerëz të thjeshtë. Vetëm e vërteta mund të na përmirësojë.