“Një këshill ndërakademik për Gjuhën Shqipe, një konferencë mbarëkombëtare për 50-vjetorin e Kongresit të Gjuhës Shqipe, një enciklopedi shqiptare, përkujtimi i 30-vjetorit të miratimit të deklaratës Kushtetuese dhe i Kushtetutës së Kosovës, botime fjalorësh, por edhe bashkëpunime në dijet e tjera shkencore”, janë vetëm disa nga pikat, që përmban marrëveshja e bashkëpunimit kërkimor shkencor dhe artistik, që u nënshkrua në Tiranë midis krerëve të dy akademive të Shkencave të Shqipërisë edhe të Shkencave dhe Arteve të Kosovës për vitin 2020 dhe 2021. Gjatë kësaj marrëveshje akademikët Skënder Gjinushi edhe Mehmet Kraja, theksin e vendosën tek ruajtja me ligj e gjuhës shqipe ndaj deformimeve.
“Marrëveshja flet për një bashkëpunim të ngushtë mes Akademisë sonë dhe asaj të Kosovës, veçanërisht në mbrojtjen e gjuhës shqipe, albanologji, por edhe në fusha të tjera. Pasi të konkretizohen do të jenë detyruese, sepse do ta bëjmë me ligj, që mos të shtrembërohet gjuha. Për të kooperuar dhe zhvilluar studime të përbashkëta, që të dyja akademitë do të luajnë role dinjitoze për në të gjitha trevat ku ka institucione shqiptare”, shprehet kreu i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi.
Kraja cilëson si projektin më madhor që del nga ky bashkëpunim, aktivizimin e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.
“Kemi arrit që të krijojmë një atmosferë bashkëpunimi shumë miqësore dhe të ndërsjellët mes dy akademive. Ndërsa, projektet që po nënshkruajmë disa janë më afatgjata dhe disa afatshkurtra. Do të ngrihet një këshill ndërakademik, që do të kujdeset për gjuhën shqipe, edhe kjo është shumë e rëndësishme”, shprehet kreu i Akademisë së Shkencave edhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të jetë e vlefshme për 2 vjet, ndërsa mënyra e financimit të projekteve do të koordinohet me marrëveshje të veçanta për secilin.