Protesta kundër Departamentit të Efiçiencës Qeveritare (DOGE) në SHBA të drejtuar nga Elon Musk

Bota

‘Një kompani kineze rekruton ish-punonjës federalë amerikanë të pushuar nga Trump’, alarm për të dhënat e ndjeshme

26 Mars, 18:15| Përditesimi: 26 Mars, 18:26

  • Share

Një rrjet kompanish të menaxhuara nga një kompani misterioze kineze ka tentuar të rekrutojë ish-punonjës të qeverisë amerikane të pushuar nga puna pas shkurtimeve të bëra nga Doge i Musk

Sipas Max Lesser, analist në qendrën e studimeve Foundation for Defense of Democracies me seli në Uashington, disa kompani që publikojnë njoftime për punësim janë pjesë e një rrjeti më të gjerë të kompanive të rreme të konsulencës dhe rekrutuesve, të cilat synojnë ish-punonjës të qeverisë amerikane dhe kërkues në fushën e inteligjencës artificiale. Këtë raportim e ka bërë fillimisht agjencia Reuters.

Sipas Reuters, katër kompani konsulence janë të përfshira në këtë skemë.

“Faqet e internetit të këtyre katër kompanive ndodhen në të njëjtën adresë IP, së bashku me një kompani tjetër të quajtur Smiao Intelligence, një ofrues kinez i shërbimeve të internetit, faqja e të cilit nuk ishte më e aksesueshme gjatë hetimit të Reuters. Reuters nuk ka mundur të përcaktojë natyrën e lidhjes midis Smiao Intelligence dhe katër kompanive të tjera”, shkruan agjencia.

Po ashtu, nuk është arritur të konfirmohet nëse këto kompani janë të lidhura me qeverinë kineze apo nëse kanë rekrutuar vërtet ish-punonjës federalë të SHBA-së.

Ambasada kineze në Uashington ka deklaruar se “nuk është në dijeni të asnjë prej subjekteve të përfshira dhe se Pekini respekton privatësinë dhe sigurinë e të dhënave”.

Sipas analistëve, ky rrjet është një shembull se si disa entitete përpiqen të mbledhin informacione nga ish-punonjësit e qeverisë amerikane të larguar nga puna pas reformave për efikasitetin e qeverisë së presidentit Donald Trump. Pasi punësohen, këtyre ish-punonjësve mund t’u kërkohet të ndajnë informacion gjithnjë e më të ndjeshëm mbi operacionet e qeverisë ose të rekomandojnë njerëz të tjerë që mund të jenë të dobishëm.

Një nga kompanitë e përfshira, RiverMerge Strategies, e përshkruan veten në faqen e saj të internetit si një “kompani konsulence për rreziqet gjeopolitike”. Në mes të shkurtit, ajo kishte postuar dy oferta pune në faqen e saj në LinkedIn, por më vonë i kishte fshirë ato dhe kishte mbyllur profilin e saj në këtë platformë, raportoi Reuters.

Në fund të shkurtit, CNN raportoi se vendet kundërshtare të SHBA-së, përfshirë Rusinë dhe Kinën, u kanë dhënë urdhër shërbimeve të tyre të inteligjencës që të intensifikojnë përpjekjet për të rekrutuar ish-punonjës të qeverisë amerikane, veçanërisht ata që janë larguar nga puna apo që kanë frikë se do të pushohen. Këta individë mund të kenë informacion të vlefshëm mbi infrastrukturën kritike dhe burokracinë e qeverisë amerikane.

"Shërbimet e inteligjencës së huaja shpesh përdorin skema mashtruese të rekrutimit për të rekrutuar burime pa e ditur as vetë se po punojnë për një qeveri të huaj", shpjegoi për Reuters David Aaron, ish-prokuror i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.

Në raportin "Annual Threat Assessment" të publikuar dje nga agjencitë amerikane të inteligjencës, Kina konsiderohet ende si kërcënimi më i madh ushtarak dhe kibernetik për Shtetet e Bashkuara./ La Repubblica

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?