Mes lotësh Roger Federer i dha fund karrierës së tij si sportist profesionist në tenis. Në Angli, në turneun e ‘Laver Cup’ që luhet dyshe, Federer ishte përkrah mikut dhe rivalit të tij të madh Rafael Nadal. Pas ndeshjes, teksa jepte intervistën para publikut, Federer nuk i mbajti dot lotët përgjatë 7 minutave, duke emocionuar tej mase të pranishmit dhe jo vetëm.
Karriera e mbyll me një humbje në Laver Cup, por kjo s’kishte aspak rëndësi, pasi njerëzit shijuan për herë të fundit një kampion të madh si Roger Federer. Për më tepër, që në krah ai kishte një tjetër kampion si Rafael Nadal. “Ishte një udhëtim fantastik. Nuk e kisha menduar kurrë se do të arrija deri këtu. Kjo është mbyllja më e bukur e karrierës së një sportisti, mes miqsh e fansash, që luajnë në një ekip me mua,”- u shpreh ndër të tjera Federer, i cili preku edhe Nadal, pasi edhe ky i fundit filloi të qajë.
“Njerëzit që dua të falënderoj janë të shumtë, të panumërt”, tha zvicerani, që i dedikoi gjithçka familjes së tij e veçanërisht bashkëshortes Mirka. “Mund të më kishte ndaluar kohë më parë, por më lejoi të luaja deri sot”, tha Federer. Ndeshja e fundit e Federer u luajt para 20 mijë shikuesve, por miliona e panë atë anembanë botës. Të shumtë edhe tifozët “vip” në tribuna, që u përlotën e duartrokitën zviceranin. Dhe shokët e skuadrës nuk e lanë vetëm, duke e hedhur në krahë gjatë festimeve.