Tiranë - Në Hotel Tirana u prezantua të enjten (18 shtator) libri “Shtegtari i portës sublime” i autorit Luan Rama, që flet për sagën e Dinejve. Pas prezantimit të librit, në po të njëjtën ditën, në ambientet e Kalasë së Tiranës u ekspozuan vepra artistike, duke sjellë fakte interesante për një nga familjet që kanë lënë gjurmë në historinë e Çamërisë dhe vendit. Në aktivitet ishin të pranishëm historianë, figura të njohura të artit, studiues dhe ambasadorë.
Familja Dino është një nga familjet e mëdha të Shqipërisë nga gjiri i së cilës kanë dalë figura të njohura atdhetare me kontribute të shumta në diplomaci, art e kulturë. Një nga më të njohurat e Çamërisë dhe historisë shqiptare, kjo familje është e lidhur me figurat kryesore të Rilindjes Kombëtare dhe të Pavarësisë. Me rrënjë në Filat dhe më pas në Janinë e Prevezë, Dinot nxorën personalitete të shquara si Abedin pashë Dino, diplomat e nënshkrues i Aktit të Pavarësisë, Rasih Dino dhe Ali Dino, deputet, patriot e artist. Nga kjo familje e fuqishme e lidhur me historinë politike e kulturore të Shqipërisë lindi edhe Abedin (Abidin) Dino një nga emrat më të njohur të artit modern turk dhe europian, mik i personaliteteve te artit të kohës. Për të njohur më mirë Abedin Dinon, piktor, skulptor, kineast, shkrimtar e intelektual dhe dinastinë e tij mund të mësoni më tepër nga studiuesi Luan Rama, i cili i dedikon një hapësirë të posaçme figurës së tij në librin e ri,“Shtegtarët e portës sublime”.
“Ali Dino në vitin 1915 ishte deputet në parlamentin grek dhe ishte një njeri që luftoi shumë për për të drejtat e çamëve, për shqiptarët. Ishte një piktor shumë i madh. Ishte dhe si të thuash kryetar i karikaturistëve të të gjithë Greqisë, ishte një njeri mjaft i talentuar por edhe njeri politik. I biri i dytë i tij ishte Arif Dino. Arif Dino ishte poet, ishte piktor, ishte një njeri i jashtëzakonshëm, i cili studioi në Belgjikë, në Zvicër. Ishte një personalitet shumë i njohur. E gjithë familja pastaj u zhvendos në Stamboll. Fëmija i tretë ishte Abedin Dino. Ishte si të thuash për këtë që nisa të shkruaj këtë libër, sepse e kam njohur në Paris në 91-in. Kur shkova në Paris e kam takuar, kam ndjekur ekspozitat e tij dhe kam qenë me të. Bashkë me Jusuf Vrionin e kemi vizituar në atelierin e tij, ose me Omer Kaleshin. Ishte një personalitet që ka punuar me Pikason, me Shagallin, ishte shumë mik me Luis Aragonin, që ishte një nga poetët më të mëdhenj francezë, me Elsa Triolen që ishte gruaja e tij.”, - thotë për "Report TV", studiuesi Luan Rama.
Ai vëren se deri tani, në Shqipëri nuk është bërë asgjë për këtë familje të madhe me kontribute të shumta, përveç një dokumentari me regji të Kujtim Gjonajt. Ndërkohë ai shton se publiku mund të njihet me veprat e Ali Dinos, Arif Dinos dhe Abedin Dinos, në ekspozitën e çelur mbrëmjen e të enjtes në Kalanë e Tiranës.
“Është një ekspozitë mjaft interesante sepse publiku do të do të ketë mundësi të shohë vërtetë pikturat e këtyre talenteve të jashtëzakonshme. Ali Dino ka edhe një cikël me temën e Çamërisë dhe të arvanitasve. Po kështu disa piktura të Arif Dinos dhe një pjesë të madhe të pikturave të Abedin Dinos, i cili ishte një piktor, që nga Stambolli u vendos në Paris. Ka jetuar më shumë se gjysmë shekulli në Paris dhe gjithë veprën e tij të madhe e realizoi në Paris.”
Janë të shumtë ata, që mendojnë po ashtu, se historia shpesh është treguar e padrejtë me familjen Dino, duke lënë në hije apo duke ua minimizuar kontributin, ndërkohë që merita e tyre ishte e jashtëzakonshme.
Komente
