TIRANE - Dy raste të tentativës për të kaluar kufirin me dokumente false janë goditur në aeroportin e Rinasit. Në pranga ka rënë një shtetas liberian dhe një shtetas kosovar që paraqitën dokumente identifikimi të falsifikuara, për të dalë nga Shqipëria.
Policia deklaroi se u arrestua në flagrancë shtetasi liberian S. K., 32 vjeç, banues në Poloni dhe shtetasi B. M., 34 vjeç, banues në Kosovë.
“Këta shtetas i kanë paraqitur punonjësve të Policisë Kufitare, dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, për të dalë nga Shqipëria. Pas verifikimeve nga punonjësit e Policisë Kufitare, me pajisjet dedektuese, ka rezultuar se këto dokumente ishin të falsifikuara” informoi sot policia e Tiranës.
Dokumentet false janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me dokumentet e identifikimit origjinale (pasaportë, ID) të shtetasit liberian, të cilat iu gjetën atij gjatë kontrollit fizik.
Materialet procedurale për këto raste i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.