Një librari në Tiranë me emrin e atit jezuit, Zef Valentini. Hapësira e re me botime të larmishme e gjithëpërfaqësuese

5 Nëntor, 13:54| Përditesimi: 5 Nëntor, 14:22

  • Share

At Zef Valentini, nuk ishte shqiptar, por shqipen e fliste dhe e shkruante më mirë se një shqiptar dhe bëri për kulturën tonë, atë që pak shqiptarë e kanë bërë.  I mirënjohur si albanolog i madh dhe i rёndёsishёm, ai ishte njё kёrkues shkencor, që la pas vëllime të tëra për historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve. Sot ai është një figurë e vlerësuar dhe së fundmi, një bibliotekë në Tiranë mban emrin e tij.  Biblioteka “At Zef Valentini” ndodhet në Kishën Katolike “Zemra e Krishtit” në rrugën e Kavajës, por është laike dhe synon të vijojë traditën jezuite në kulturën dhe edukimin në Shqipëri.

“Është një librari laike, edhe pse në të ndërthuren si librat fetarë, edhe ata laikë. E rëndësishme është se është një librari, që ka kulturë e që përmbledh e ndërthur të gjitha në një gjë të vetme.”, shprehet At Zef Bisha, eprori i Komunitetit të Jezuitëve në Tiranë.

Duke folur për kontributin e jezuitëve në Shqipëri, Bisha shpjegon se ata erdhën në vendin tonë që në shekullin 19 dhe thuhet që interesi i tyre për mision në Shqipëri është shumë i hershëm.

“Hapi i parë që ata kanë bërë në Shkodër ka qenë edukimi, ku është hapur menjëherë shkolla ‘Shën Françesk Saveri’ dhe kanë vazhduar me formimin intelektual e krahas kësaj edhe me formimin baritor, që ka qenë nëpër zonat malore. Më pas jezuitët mbërritën dhe në Tiranë, ku ndërtuan këtë kishë.”, vijon ai.

At Bisha vëren se jezuitë si Zef Valentini apo Domenico Passi dhe shumë jezuitë të tjerë, që janë marrë me studime albanologjike, kanë kontribuar mjaft për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Edhe pas rihapjes në vitin 1991, jezuitët kanë dhënë kontribut të madh në formim.  Në Tiranë, përveç kishës kanë formuar dhe në shumë aspekte të tjera, socio-politike, shkrime e duke dhënë mësim.”, - nënvizon Bisha.

Libraria Zef Valentini synon të sjellë larmi botimesh dhe përditësim me botimet më të fundit, duke qenë e hapur për të gjithë.  Në të synohet edhe krijimi i një këndi të titulluar “Të nënpërfaqësuar”, ku do të risillen çdo javë libra apo botime, që kanë kaluar pa vëmendjen e merituar. Ndërsa përmes këndit “Aktualitet” synohet të informohet me sugjerime të zgjedhura për kontekstin dhe debate të kohës.

 

 

B.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?