Një lutje për kolegët nga Kosova, kur pyesin Berishën!

17 Shtator 2020, 20:45| Përditesimi: 17 Shtator 2020, 20:46

  • Share

Kam një lutje për kolegët e mi, gazetarët nga Kosova, që kanë qejf të intervistojnë Sali Berishën. Nuk ju vë faj që ai gënjen, as që u imponohet ju të dëgjoni gënjeshtrat e tij. E bën këtë rregullisht dhe në Shqipëri.

Por meqë keni dëshirë të intervistoni Sali Berishën për “punë kombëtare”, dhe shumica e pyetjeve kanë të bëjnë me krime që lidhen me të, do të ishte korrekte të përgatiteshit për krimet që e pyesni.

Ndoshta mos e pyesni për të gjitha krimet njëherësh, se janë shumë dhe e shpëtoni. Pyeteni vetëm për një, por për gjithçka rreth tij, dhe ai do të ngatërrohet me këmbët e veta, pasi ka dhjetëra versione për të njëjtin krim.

Rasti tipik ishte dje me pyetjen për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Eshtë aq e njohur ajo temë në Kosovë dhe aq epike beteja e djalit të tij për të mbajtur gjallë çështjen, sa është tepër banale ta pyesësh si për një gjë që ti ke kuriozitet si gazetar, që pret ta mësosh nga vrasësi.

Mjafton të kërkosh gjithë deklaratat e tij dhe të të tjerëve për atë vrasje, dhe mund të mos e fyesh të ndjerin Remzi, duke e lënë Sali Berishën të shpikë një alibi të re, se për herë të parë për këtë çështje e ka njoftuar Adem Demaçi.

Remzi Hoxha është zhdukur në vjeshtën e vitit 1995. Mund të verifikohet lehtë se Adem Demaçi nuk ka qenë në atë kohë as për vizitë në Shqipëri. Mos gaboj ai erdhi në verën e vitit 1996, kur Berisha e thirri ta përdorte kundër Rugovës .

I pari që ka njoftuar Sali Berishën për vdekjen e Remzi Hoxhës jam unë dhe kolegu im Ylli Rakipi, në atë kohë drejtor i gazetës “Albania”, dhe e kemi bërë ditën që Remzi Hoxha mund të ishte ende gjallë. E kam shkruar disa herë këtë.

Para nesh natyrisht e ka informuar orë për orë, Gazidede se çpo bëhej me atë operacion.

Në ditën që SHIK ka rrëmbyer Remzi Hoxhën në redaksinë e gazetës “Albania”, erdhi ortaku i Remzi Hoxhës, që ishte dhe mik ynë, G.S., së bashku me Nexhmedinin, vëllain e Remzi Hoxhës, dhe djalin e tij të vogël përdore.

Ka dhjetëra dëshmi të familjes për kronologjinë e kontakteve me Arbnorin, apo zyrtarë të tjerë.

Pse duhet ta bësh këtë pyetje, duke e dëgjuar gënjeshtrën e tij si zbulim! Mund të mos e bësh fare, pasi së paku nuk e fyen viktimën e tij.

Kur pyesni Sali Berishën për krime, përgatituni ndopak, se nuk po e pyesni për pushimet verore. Mos kaloni në orgazëm që po dilni në fotografi me të.

Përgatituni që ai mund t’iu gënjejë dhe të keni pyetje gati. Përgatituni të dini çfarë ka thënë më parë për të njëjtën gjë.

Përgatituni të dini si ka qenë  e vërteta.

Shikoni deklarimet e tij për shtypin e Kosovës për të njëjtat ngjarje që ka dhënë dhjetëra versione, shoqëruar me të njëjtën foto gazetarësh të lumtur që ai i gënjen.

Njëherë thotë UÇK ishte organizatë enveriste, një herë thotë bashkëpunuan me komunistët shqiptarë në rebelimin e ’97-s, pastaj thotë i hapa vetë depot më ’97-n për të armatosur UÇK-në, pastaj thotë i hapi Greqia për të më përmbysur nga pushteti…

Një herë thotë i dhashë naftë Kosovës(jo Serbisë) se i duhej për të korrur grurin gjatë kohës që ajo ishte nën pushtetin e Milosheviçit, a thua se polici në kufi ishte i Kosovës dhe jo i Milosheviçit, një herë thotë ja dhashë Bulatoviçit se doja të ndaja Malin e Zi nga Serbia, një herë thotë ishte mafia ndërkombëtare, një herë thotë ma kanë shpikur kundështarët.

Udhëtoja me Sali Berishën, Topallin dhe Besnik Mustafaj në qershor të vitit 1998 për në Francë, në një vizitë të sajuar nga ish- ambasadori Mustafaj në Asamblenë parlamentare dhe Senat, ku do fliste për trazirat që kishin nisur në Kosovë.

E kam shoqëruar si gazetar. E kam të botuar raportin nga fjalimi i tij në takimin me disa senatorë rreth UÇK-së, në disa gazeta në Tiranë dhe Kosovë.

E quan UÇK-në enveriste dhe me prirje për eleminime fizike dhe luftë për pushtet .

Dy ditë më pare, “New York Times” kishte botuar foton e shtëpisë së tij në Tropojë, nën titullin “Shtëpia e Berishës, bazë e rebelëve të UÇK-së”

Besnik Mustafaj duke dëgjuar qasjen e tij për UÇK-në, i sugjeroi ta përgënjeshtronte lajmin e “New York Times”, dhe të thoshte që ajo shtëpi s’ka më lidhje me atë.

-Jo, i tha, Berisha. Le të jetë dhe ai version.

Në mendjen e këtij njeriu nuk ka një të vërtetë, por ka gjithnjë një nevojë. Në Francë i duhej të dukej kundër UÇK, dhe ashtu bëri. Po atë ditë diku tjetër donte të dukej se ishte me UÇK-në. Ashtu bënte.

Mu kujtua kjo dje, ndërsa e dëgjova të mburrej se ai e kishte dhënë me koshiencë shtëpinë, për UÇK-në. Në fakt shtëpia e tij qe një bazë trafiku armësh e një nipi të vet, që ja shiste UÇK-së, dhe as e pyeste njeri fare. Kaq banale ishte, sa ata që strehoheshin tek shtëpi e tij, ishin në luftë me njerëzit e tij që vriteshin me Haklajt.

Ndaj nuk është e lehtë të intervistosh një vrasës. Nëse vendosni ta intervistoni si një “hero” për Kosovën, bëjeni,  por së paku mos i përmendni vrasjet, që t’i rivarrosni të vrarët e tij. Lereni në hall të vet dhe mbuloni me kurora heroin tuaj.

Nëse do ta intervistoni si njeri të përzier në vrasje, përgatituni të përballeni me një vrasës, që nuk e ka mendjen vetëm tek gravata, kostumi që ka veshur, por tek dorezat që ka përdorur për vrasjen.

Ne në Shqipëri ndoshta jemi më keq se ju kur  intervistojmë Berishën. Por këtu Berisha i zgjedh ata që e pyesin. I gjen mes nivelit të Enit dhe Fevziut.

Imitojeni Enin kur hap sytë për gjithçka, apo Fevziun në veshje, por jo dhe në vese. Se të paktën Fevziu të bën dhe atë pyetjen e “fortë”:

-A je i sigurtë që nuk ke vrarë njeri?

Dhe po i the “jo”, ai qetësohet se quhet që e ka bërë detyrën. Por nuk besoj se keni dhe ju atë detyrë.

Po aq keq jemi dhe ne në Shqipëri, kur na ndodh të intervistojmë politikanë nga Kosova, por nuk bëjmë dëme të mëdha, se nuk i pyesim për vrasje. Maksimumi i pyesim “Si ju duket Tirana” dhe “ku i ke kaluar pushimet”. Dhe ata janë shumë të kënaqur me të dyja.

Komento

Komente

  • Kosovs: 18/09/2020 15:29

    Betisha nje bajge lope

    Përgjigju
  • Cani: 18/09/2020 12:54

    Sa keq qè z. Baze edhe pas aq sa kohesh nè shkrimet e tij èshte aq te ndikuara nga inati qe ka ai ndaj Sali Bershes sa si ky dhe si edhe shkrimet tjera nuk mund te lexohen! Jane aq personale sa qè bien total jashte kodit gazetaresk, smirezia qe ka ai ndaj tij dhe ndikimi i saj ne shkrimet e tija i bene ato te pavlera, shkrime te nivelit te kafeneve e ndejave! Mero Baze sikur ka nje detyre jetesore, tè "shpetoj" njerezimin nga gogoli i tij i quajtur Sali Berishe. Z. Baze ndalo mè te shkruash per te! Shkruaj normal,ktheju shkrimit profesional e leje vetvehten dhe inatin mbytes ndaj z. Berisha! Me mungojne ato shkrimet e tua te mehershme e te cilat nuk kishin te bèjne me inate personale.

    Përgjigju
  • Wayne: 17/09/2020 23:17

    Analiza e mir z. Baze, por mundohuni edhe ju, që kur t'flasim për trevën tonë andej pashtrikut, të ëmerojm qyteten respektiv. Gazetari Prizrenas(apo Prizrenali) nuk asht i njëjti si Pejani apo Prishtinasi apo Shkodrani apo Vlonjati. Edhe këndej pashtrikut jemi vërshuar nga etiketimi "Kosovar". Shqipëtaret gjithkund, e sidomos ata në fjalë do Ju ishim shum falenderues.

    Përgjigju
  • zara: 17/09/2020 21:41

    Bën mirë që shkruan por më duket se gazetarët kosovarë nuk dëgjojnë nga ai vesh. Janë aq lokalistë sa s'e kuptojnë apo nuk duan të kuptojnë krimet që Berisha i ka bërë kosovarëve dhe gjithë shqiptarëve. Vetëm se ka jetuar 15 vjet në Vicidol, vetëm se duke vjedhur paratë e shqiptarëve u ndërua rruga e Kukësit, ku dhe aty shumë kosovarë kanë lënë kockat, nuk mund ta shohësh me pozitivitet këtë njeri. Puna është se janë aq të cekët sa dalin dhe antishqiptarë si vetë Berisha.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?