Ka përfunduar mbrëmjen e djeshme Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit për Fëmijë “1 mbi 1 dritaret”. Edicioni i katërt i këtij festivali u organizua edhe këtë vit në “Hamamin e Vrionasve”, tek Porta e Pashait.
Ky festival bëri bashkë artistë të vegjël nga 6 qytetet: Berat, Dimal, Vlorë, Shkodër, Elbasan dhe Kukës, të cilët përformuan çdo natë në skenë me shfaqjet e tyre. Artistë të moshës 5-15 vjeç u ngjiten në skenën e qytetit muzeal për 4-netë me radhë, duke dhuruar emocione të papërshkrueshme për spektatorët.
Ka qenë trupa teatrale e fëmijëve të qytetit të Kukësit ajo që çeli siparin e këtij festivali, duke performuar në natën e parë me shfaqjen “Kopraci” në natën e dytë performuan fëmijët e qyteteve Dimal dhe Elbasan, në natën e tretë qytetet Berat e Vlorë dhe në natën finale kanë perfomuar shfaqjen e tyre "Matilda" fëmijët e trupës teatrale "Migjeni" të Shkodrës.
Ky festival që organizohet prej 5-vitesh në Berat është jo vetëm një mundësi e mirë shkëmbimi kulture dhe traditash mes qyteteve por ka si qëllim edhe promovimin dhe nxitjen e artistëve të vegjël drejt qendrave kulturore për fëmijë, si nevojë e përbashkët e edukimit të brezave të rinj me artin dhe kulturën shqiptare.
Në natën finale të festivalit, pas interpretimit të shfaqjes teatrale të qytetit të Shkodrës, juria e përbërë nga aktorët e mirënjohur shqiptar Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Yllka Mujo dhe Mimoza Marjana ku kanë ndarë edhe 3 çmimet fituese.
Çmimin e parë të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit për fëmijë “1 mbi një Dritaret” e ka fituar trupa teatrale e qytetit të Shkodrës, e cila u paraqit me shfaqjen “Matilda”,çmimin e dytë e fitoi trupa teatrale e qytetit të Elbasanit dhe çmimin e tretë e fitoi trupa teatrale e fëmijëve të qytetit të Beratit me shfaqjen “8 persona + 2”.Juria e këtij festivali ndau edhe dy çmime për aktorët më të mirë protagonistë dhe certifikata mirënjohjeje për aktorët e trupave teatrale Dimal,Vlorë dhe Kukës.
Regjizorja e Teatrit të fëmijëve "Migjeni" të Shkodrës, Drane Xhaja ka shprehur emocionet e saj të para pas fitores së çmimit të parë të festivalit, duke shprehur edhe mirënjohjen e treguar ndaj përkushtimit të fëmijëve për ta interpretuar këtë pjesë teatrale jo të lehtë.
Edhe fëmijët e trupës teatrale "Migjeni" Shkodër kanë falenderuar jurinë për çmimin e parë ndërkohë që rreth shfaqjes së vënë në skenë nga trupa teatrale e fëmijëve të qytetit të Elbasanit që fituan çmimin e dytë të festivalit, ka folur regjizorja e shfaqjes.
Komente
