Suella Braverman

Një mesazh për sekretaren britanike Braverman

13 Nëntor 2022, 20:05| Përditesimi: 13 Nëntor 2022, 20:07

  • Share

Komuniteti shqiptar protestoi në Westminster Bridge afër Parlamentit britanik në Londër, kundër retorikës së ashpër në kufinjtë e racizmit të shfaqur së fundi nga Sekretaria për Punët e Brendshmë Suella Braverman. Ajo personalizoi vetëm shqiptarët si problem për emigracionin vendas ndërsa sipas të dhënave vitin e fundit janë mbi 40 mijë shtetas nga 11 nacionalitete të tjera që kanë mbërritur në Angli në mënyra të ndryshme. 

Por përtej reaksionit që ka ngjallur ky qëndrim i znj. Braverman, paradoksi qëndron se dhe vetë ajo ka prejardhje nga India, çka parathotë se dikur edhe paraardhësit e saj kanë qenë emigrantë. Ata mbërritën në Britani në vitin 1960 nga Kenia dhe Mauritania. Pra znj Braverman është bijë e dy prindërve emigrantë. Dhe duke mbetur të ky moment duhet bërë e ditur se dhe vetë anglezët kanë qenë emigrantë. Madje emigrantë të dhunshëm dhe gjakatarë. Dikur para 3 apo dhe 4 shekujsh ata kishin emërtimin Settler.

Çfarë domethënie ka ky cilësim? Settler është një person që zhvendoset së bashku me një grup njerëzish të tjerë për të jetuar në një vend ose zonë të re. Britanikët por edhe grupime nga vende të tjera evropiane të njohur si Settler u zhvendosën në Amerikë, Australi, Kanada, Zelandën e Re apo Afrikën e Jugut. Gjatë invazionit të tyre emigrator ata vranë me miliona njerëz në vendet ku kërkuan territor për të jetuar, por askush nuk i quajti as kriminelë, as emigrante apo refugjatë. Me kohë ata u natyralizuan në këto vende për t’u bërë banorë të përhershëm por gjithnjë me statusin Settler. Por historia nuk i fshin krimet dhe dhunën e ushtruar madje si pushtues e jo si nevojtarë të kohës. 

Ndaj sot ngjan tepër e pavend gjuha, forma dhe sjellja diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe çdo individi tjetër që zgjedh të krijojë një jetë më të mirë në Angli, ose gjetkë. Nëse vijmë në kohët e sotme statusi i atyre që shpesh cilësohen si refugjatë apo emigrantë është Expat (Expatriate). Çfarë përmban ky status? Expat është një individ që ka emigruar, ose i huaj, i cili jeton dhe/ose punon në një shtet tjetër nga vendi i tij i shtetësisë, kryesisht për periudha të përkohësishme dhe për arsye pune.

Një Expat mund të jetë gjithashtu një individ që heq dorë nga shtetësia në vendin e tij për t’u bërë shtetas i vendit ku vendos të punojë dhe jetojë. Pra dyndjet migratore pavarësisht kohës dhe mënyrës që ndodhin, nuk duhet dhe nuk mund të kenë tone as diskriminuese e as raciste apo fetare. Gjithçka ndodh me qëndrimin ndaj shqiptarëve është jo korrekte si në aspektin human, ashtu dhe në aspektin ligjor, poktik dhe historik. Në periudha të ndryshme të historisë kombe të ndryshme kanë prodhuar flukse migratore. Sigurisht që shumë vende e popuj që janë përballur me këtë fenomen kanë patur probleme me përshtatjen e të ardhurve. 

Mund të ketë patur edhe ngjarje e fenomene kriminale apo frustrim publik për shkak të periudhës asimiluese “të miqve” të papritur shpesh edhe të padëshiruar. Por shumë nga këto flukse migratore kanë shërbyer për zhvillim dhe progres të vendeve ku kanë emigruar. Në shumë vende kanë shërbyer për të rigjeneruar popullsinë e plakur duke gjeneruar e shtuar lindshmërinë dhe duke shtuar fuqi punëtore në industri, bujqësi apo shërbime. Në pjesën më të madhe të shërbimeve kryesisht ato të karakterit publik sot në Angli nuk punojnë vendasit, por të ardhurit, shqiptarë, polakë, pakistanezë, indianë apo kinezë.

Ka me mijëra histori të njerëzve “Expats” që kanë shkuar në Britaninë e Madhe dhe u bënë njerëz të suksesshëm në shkencë, politikë, histori, art, kulturë, sport apo fusha të tjera. Pra znj. Braverman këta njerëz që ju i përçmoni me qëndrimin tuaj janë më shumë të vlefshëm apo të pavlefshëm, të dëshirueshëm apo të padëshirueshëm? Historia vjen në ndihmë në të tilla raste dhe ajo përkufizohet si për të shkuarën dhe për të tashmen përmes një shprehjeje. 

Mos iu bëj të tjerëve atë që s’do të doje të të bënin ty. Ky postulat vlen edhe për sekretaren britanike të Punëve të Brendshme. Për të ditur se kush je, mos harro të kujtosh kush ke qenë. Kjo vlen edhe për kohën kur britanikët ishin emigrantë pushtues e vrisnin indigjenë dhe sot kur në vendin e tyre shumë prej të ardhurve iu kujtojnë se çfarë kanë qenë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?