Kronikë

Një monument kulture, në vendstrehim bagëtish! Shpella e Trenit në Devoll drejt degradimit, projekti për restaurimin ‘fle’ në letër

8 Korrik 2021, 22:45| Përditesimi: 8 Korrik 2021, 22:52

  • Share

Mbart mbi supe historinë, por sot Shpella e Trenit në parkun Kombëtar të Prespës, është drejt degradimit prej mungesës në vite të investimeve.

Shpella karstike pranë Parkut Kombëtar të Prespës, një vlerë e rrallë e trashëgimisë historike në rajonin juglindor, dita ditës po dëshmon degradimin. Tërësisht e pambrojtur, dëmtimet e mureve të shpellës së Trenit, shtresave kulturore, stalaktideve dhe stalakmideve,  janë të dukshme.

Shkatërrimit nuk i kanë shpëtuar edhe dyert, të cilat dikur u vendosën për ta mbrojtur. E gjithë kjo pamje ngre kambanën e alarmit për reagimin e institucioneve ndaj këtij monumenti, i cili mbart historinë dhe mënyrën e jetesës së banorëvë që nga neoliti i hershëm.

Prej tre vitesh ekziston në letër një projekt restaurimi i Drejtorisë së Trashëgimisë dhe Kulturës në Korçë, por nuk është miratuar ende fondi nga Ministria e Kulturës. 

"Kemi miratuar një projekt para 2 vitesh që konsiston në rrethimin e shpellës me elementë druri, elementë që nuk dëmtojnë aparencën e shpellës, kemi propozuar vendosjen e një sinjalistike me standardet e duhura që pasqyron të gjithë rrugëtimin dhe elementët shkencorë që shpella ka në brendësinë e vet, ndërkohë ka patur edhe disa hapësira qëndrimi që janë realizuar me materiale guri, materiale të lehta, pa ndërhyrje betoni apo struktura të tjera. I bëj thirrje institucioneve që të gjendet mundësi për ta financuar dhe rehabilitimi shpellës dhe vendosja e sinjalistikës do ta ruaj dhe do t'i japë më shumë informacione turistëve për vlerat që ajo mbart", tha Gjergji Koki, Drejtor i Trashëgimisë në Korçë.

Shpella e Trenit ndodhet  në Devoll e njohur  si “Gryka e Ujkut”, ndodhet në pjesën perëndimore të liqenit të Prespës së Vogël dhe daton nga viti 6000 p.e.s. Përfaqëson një shpellë karstike dhe është e gdhendur me piktura të mrekullueshme murale prehistorike kryesisht me skena gjahu.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?