“Një natë shkodrane ndryshe për gjyshërit tanë”, është kjo motoja me të cilët artistët u bënë bashkë në një organizim të veçantë ku me performancat e tyre dhuruan emocione të bukura për banorët e Shtëpisë së të moshuarve në Shkodër.
Momente gëzimi, buzëqeshje dhe atmosferë festive është ajo që solli këtë herë koncerti “Një natë shkodrane ndryshe për gjyshërit tanë” në Shtëpinë e të moshuarve në Shkodër.
Artistët shkodranë u bënë bashkë në një mbrëmje të veçantë festive ku dhuruan emocione të bukura për banorët e shtëpisë së të moshuarve.
“Të mendojmë pak edhe për gjyshërit tanë por të mendojmë edhe pak për ata që kanë më shumë nevojë se askush. Ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme, me i pa sytë e tyre të qeshur, buzëqeshjet në fytyrë atë zemërbardhësinë që kishin për të gjithë ne ishte gjëja më e bukur sonte”, tha këngëtarja Rezarta Smaja.
Për Drejtuesin e shtëpisë së të moshuarve dhe organizatorin e nismës Mirsad Basha, aktivitete të tilla janë një mundësi e mirë për të ndërgjegjësuar brezat e rinj për të qëndruar më afër gjyshërve.
“Për të rinjtë kam vetëm një thirrje që t’i rrijnë afër gjyshërve të tyre, baballarve të tyre. T’i duan, t’i respektojnë, t’i telefonojnë dhe t’i rrinë sa më afër qoftë edhe me një fjalë”, u shpreh Fatjon Hoxha, Drejtori i Shtëpisë të së Moshuarve në Shkodër.
“Është shumë e rëndësishme kjo nismë dhe pozitive. Dashnia dhe afrimiteti që duhet me pas për moshën e tretë duhet të jetë shumë e madhe.”, u shpreh aktivisti Mirsad Basha.
Në mbështetje të moshës së tretë, organizime të tilla janë kthyer në një traditë të përvitshme në Shtëpinë e të moshuarve në Shkodër .