Bota

Një nga gratë më të pasura në botë dhuron miliarda dollarë për bamirësi

16 Qershor 2021, 10:10| Përditesimi: 16 Qershor 2021, 10:12

  • Share

Është një nga gratë më të pasura në botë, por ka zgjedhur që pasurinë e saj ta përdorë për të ndihmuar personat në nevojë. Miliarderja amerikane, MacKenzie Scott ka njoftuar ditën e djeshme se do të dhurojë edhe 2.7 miliardë dollarë për qëllime bamirësie.

Scott tha përmes një blogu se dëshiron t’u japë para atyre që janë “nënfinancuar dhe anashkaluar historikisht” dhe shumën ka zgjedhur ta shpërndajë në 286 organizata që trajtojnë pabarazinë racore, artet dhe arsimin.

Scott, shkrimtare dhe filantropiste, është ish-gruaja e Jeff Bezos, themeluesit të kompanisë së shitjeve online, Amazon dhe është një nga gratë më të pasura në botë.

Pjesën më të madhe të pasurisë e ka nga Bezos, i cili aktualisht është njeriu më i pasur në botë dhe janë divorcuar në vitin 2019.

Në kuadër të marrëveshjes, Scott ka përfituar 4% të aksioneve të Amazon-it, pasi ajo e kishte ndihmuar ish-bashkëshortin të fillonte biznesin në vitin 1994.

Në dhjetor të vitit të kaluar është bërë e ditur se Scott ka dhuruar mbi katër miliardë dollarë për ushqime dhe ndihma emergjente, brenda katër muajsh, fillimisht si ndihmë për amerikanët që luftojnë si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Pavarësisht madhësisë së këtyre donacioneve, ajo është personi i 22-të më i pasur në botë.

Sipas revistës amerikane Forbes, pasuria e saj kap vlerën e 59.5 miliardë dollarëve.

Në vitin 2019, ajo nënshkroi Giving Pledge, duke premtuar të jepte pjesën më të madhe të pasurisë së saj në ndihmë të personave në nevojë.

Giving Pledge është një angazhim nga individët dhe familjet më të pasura në botë për t'ia kushtuar shumicën e pasurisë së tyre personave në nevojë.  Nisma u iniciua nga Bill dhe Melinda Gates dhe Warren Buffett në 2010  dhe Bezos nuk e ka nënshkruar ende premtimin.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?