Sociale
Drejt Punës

NJË NGA NE/ Dita e Gencit në Laknas, fermeri modern që shet online shpendë dhe lepuj: Nuk i kam frikë prodhimet e importit!

21 Maj, 21:50| Përditesimi: 21 Maj, 21:53

  • Share

Pas një eksperience të gjatë në sektorin e hoteleri-turizmit, Genc Uklala vendosi të ndryshojë drejtim. Dëshira për të informuar dhe edukuar audiencën e rrjeteve sociale mbi rëndësinë e ushqyerjes me prodhime bio, shumë shpejt u kthye në një iniciativë edhe më fitimprurëse.

Shfrytëzoi tokat e të afërmve për të krijuar një fermë me shpendë dhe lepuj. Për emisionin “Një nga ne” zbulon përditshmërinë e tij në natyrë.

“Kam studiuar hoteleri-turizëm dhe kam punuar për 24 vite në restorant në pozicione menaxher, asistent menaxher, kamarier. Aktualisht po merrem me fermën.

Jam rritur në fshat në Dibër dhe doja ta nisja si influencer, rrugës pashë që ferma është diçka shumë e mirë edhe më jep shumë kënaqësi puna në të, pavarësisht lodhjes. Më jep kënaqësi dhe e gjej veten”, shprehet Genci për kamerën e Report Tv.

Beson se rrjetet sociale janë një treg i hapur që të japin mundësinë të shpërndash përvojën dhe të bësh shitje.

“Mendova të jem një shembull për të tjerët. E nisa me video që kanë synim informimin dhe motivimin.  Sot ka ndryshuar mënyra sesi shihet tregu. Dikur kishte shumë prodhim, por s'kishte treg. Tregu vendas ka një përparësi shumë të madhe tani. Klientët janë të predispozuar për të parë origjinën e prodhimit. Nuk duhet t’i kemi frikë prodhimet e importit”, thotë Genci.

Një njeri me vision  që nuk kërkon fitim të shpejtë, por besim të klientëve.

“Nuk kam interes të fitoj shumë shpejt, por t’i ofroj klientit diçka që ai vërtetë po kërkon, bio dhe të freskët”, shprehet Genci duke ngulmuar që të mos jenë vetëm tregtar, por të gjithë fermerët të krijojnë produkte të shëndetshme.

Ka shumë dashuri për punën që bën dhe asgjë nuk e step në këtë rrugëtim. Mbështetje të jashtëzakonshme ka pasur dhe nga të afërmit e tij të cilët e kanë përkrahur duke i dhënë tokën.

“Jemi rritur nga prindër që na kanë rritur me dashuri.  Kam tokën e vëllait, djalit të hallës, gocës së hallës që ma kanë lënë tokën pa qira. Më vjen habi kur njerëzit zihen për një copë tokë. Ke sfida nga gjetja e klientit, shitje, konkurrenca, sëmundjet. Eksperienca dhe dija më japin kurajo”, përfundon rrëfimin e tij.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.

SI.E./A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?