TIRANË - Menaxhimi i kohës është pika e saj më e fortë. Kjo e ka lejuar Kristi Thodhorjanin të jetë e suksesshme jo vetëm në aspektin profesional, por edhe atë personal. Ishte e vetmja vajzë në klasë që zgjodhi inxhinierinë hidroteknike. 1 dekadë në këtë profesion dhe ndihet e plotësuar dhe e lumtur për vendimin e marrë.
“Dita nis me shumë vrull pasi në orëm 8:00 duhet të jem në punë. Punoj si inxhiniere hidroteknike prej 10 vitesh pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe pedagoge e jashtme në fakultet. Arsyeja pse zgjodha këtë degë ishin prirjet e mia drejt shkencave ekzakte si fizika, kimia apo matematika dhe ndikimi pozitiv që kishte babi im që po ashtu është inxhinier.
Nga viti 2009-2012 mbaj mend që kam qenë e vetmja vajzë në klasë me 13 djem. Ishin vite të bukura, me intensitet, me pedagogë korrekt dhe shumë strikt. Qëllova me fat sepse fillova punë shpejt dhe aktualisht këtë profesion e dua vërtetë”, tregon 33 vjeçarja.
Përqafon sfidat si mundësi për të mësuar dhe jo si pengesa.
“Të jesh inxhinier do të thotë të kesh një zanat, të kesh një vend pune të sigurtë, padiskutim me luftë dhe përpjekje. Asnjë gjë nuk vjen lehtë në jetë dhe më mirë sepse njerëzit duhet të kenë stimuj, të kenë grintën për ta bërë jetën e tyre më të mirë. Degët e inxhinierisë janë shumë të bukura, të vështira, por janë sakrifica kohore që ia vlen t’i përkushtohesh”, shprehet Kristi.
Sigurohet që çdo aspekt i jetës së saj të marrë vëmendjen e duhur. Gatimi është padyshim hapësira e relaksit ku mund të shprehë kreativitetin e saj për pjata të shijshme, të shëndetshme, por edhe tërheqëse vizualisht. Ndërkohë pjesën tjetër të ditës ia merr koha me familjen, studimi për doktoraturën dhe palestra.
Ndiqni emisionin e plotë në linkun e mësipërm. “Një nga ne” transmetohet çdo të mërkurë në orën 20:00 në ekranin e Report Tv.